Qytetarët e Korçës ankohen për kufizimet e energjisë elektrike- (31 Dhjetor 2005)
Qyteti i Korçës dhe pse ka një pagesë nga më të lartat në vend sa u përket shlyerjes së faturave të energjisë elektrike, përsëri është i detyruar t’i nënshtrohet kufizimeve të energjisë elektrike.
Banorët ndihen të diskriminuar përpara këtij fakti, madje shprehen se paguajnë faturat e zonave të tjera, të cilat janë debitore.
Banore e Korçës: “Kufizime le që s’duhet të kishim, po dhe s’duhet të kemi se e paguajmë të gjithin 100% dhe është për të ardhur shumë keq. Po tashi çfarë të bëjmë. Të mblidhemi të bëjmë greva? Grevat nuk u pijnë ujë.”
Banore e Korçës: “Qyteti i Korçës është shumë i rregullt në faturat, edhe kështu që neve nuk do të kishim kufizime siç kemi nga tre orë, e kemi të përditshme.”
Përfaqësues të Pushtetit Vendor thonë se sipas të dhënave të tyre, shlyerja e faturave në qytetin e Korçës është deri në masën 96%. Ndërkohë që në filialin e KESH thonë se në qytet shlyhen faturat deri në masën 92%.
“Qyteti i Korçës është ndërprerë dy deri në tre orë, kurse zona rurale, pjesa fshatare më shumë edhe pjesa më larg qytetit, është e kufizuar katër deri në pesë orë. Kjo është sigurisht e ndarë mbi bazën e pagesave që bëhen. Ne kemi shpjeguar dhe njëherë që ka pagesa reale, jo ato që ndonjëherë duken sikur janë të bujshme për njerëzit.”
Gazetare: Mira Kazhani