Ata janë të mendimeve të ndryshme sa i takon marrëveshjes së arritur në Bruksel

Qytetarët e Kosovës  janë të mendimeve të ndryshme, sa i përket marrëveshjes së arritur në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit për marrëveshjen  për targat.

Disa shprehen se çdo marrëveshje që sjell paqe e jo konflikt është e mirëpritur.

 “Ky është një hap i rëndësishëm për zbutjen e tensioneve dhe një hap i rëndësishëm për të përshpejtuar normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Në fakt kjo është e rëndësishme për të dy vendet që të ecin përpara drejt një të ardhmeje që do të kërkojë arritjen e marrëveshjeve që janë gjithashtu shumë të vështira”, ka thënë Arbër Vllahiu, kryeredaktor.

Megjithatë ka nga ata qytetarë që  besojnë se duhen më shumë përpjekje për të arritur një marrëveshje përfundimtare.

 “Duhen më shumë përpjekje për të arritur marrëveshjen përfundimtare. Mendoj se presioni nuk duhet të jetë gjithmonë vetëm mbi Kosovën sepse fatkeqësisht deri më tani i vetmi që ka qenë nën presion ka qenë vendi im dhe tani është koha për të bërë presion edhe ndaj Serbisë”, ka thënë mjeku Premtim Kadriu.

Ka nga ata që thonë se qeveria kosovare nuk duhet të zmbrapsej nga qëndrimet e saj.

 “Mendoj se jemi bërë lojë e ndërkombëtarëve dhe nuk jemi duke menduar për çështjen kombëtare kemi rënë në spiralen e vetëshkarkimit, targat nuk janë problem shumë i madh. Duhet të fokusohemi në çështje të tjera”, ka thënë Agim Bajrami.

Pas marrëveshjes për targat, palët do të angazhohen për të diskutuar hapat e ardhshëm, mbi propozimin e paraqitur në muajin Shtator nga Franca dhe Gjermania për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Klan News