Një grup qytetarësh nga Skenderaj ka bllokuar rrugën që çon për në fshatin Banjë të kësaj komune, për të mos lejuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç që ta vizitojë.

Në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, Vuçiç ka në agjendë edhe një vizitë në këtë fshat, ku jetonë pjesëtarë të komunitetit serb.

Shoqatat e dala nga ish-strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga kjo komunë, kanë ftuar qytetarët që të dalin në rrugë që nga orët e mëngjesit, për t’i pamundësuar Vuçiqit të shkojë në fshatin Banjë.

“Duke ju kërkuar secilit mirëkuptim në një ditë fundjave për shqetësimin tuaj, na falni, por duhet t’ju ftojmë në protestë sepse po vjen pa kërkuar falje një President i një shteti që ka vrarë, masakruar dhunuar popullatën e pa fajshme”, thuhet në ftesën për protestë të këtyre shoqatave.

“Ta ndalojmë Vuçiçin që mos të shkelë në tokën e Drenicës”,

thuhet në njoftim.

“Kërko falje për krimet e bëra”,

shkruhet në njërën pankartë të vendosur nga qytetarët në Skenderaj.

Nisur nga kjo ftesë, qytetarët kanë bllokuar rrugën, duke vënë pengesa të ndryshme për të pamundësuar qarkullimin.

Thirrjeve për protestë u janë bashkuar asamblistë dhe përfaqësues politik nga kjo komunë. Edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë se Vuçiç nuk mund të kalojë përmes rajonit të Drenicës, pa kërkuar falje për krimet e bëra nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës së fundit.

“Janë 15 mijë të vrarë nga lufta, 1600 persona të zhdukur, janë 128 persona të zhdukur nga komuna jonë, kështu që me plotë të drejtë po e kundërshtojmë vizitën e tij. Vizita e tij është një provokim dhe ringjallje e viteve të 98-ta dhe 99-ta”,

tha Jashari.

Gjatë gjithë kohës, Policia e Kosovës është parë në këtë pjesë, në përpjekje të ruajtjes së qetësisë dhe sigurisë./REL