Ushqime, batanije dhe veshmbathje drejt Durrësit e Thumanës

Sokol Murataj ka mbetur i paralizuar para 23 vjetësh, por gjendja e tij fizike nuk e ka penguar që të ndihmojë njerëzit e mbetur jashtë banesave nga tërmeti i së martës.

Kjo është dita e dytë që ai vjen në sheshin “Nënë Tereza” për të furnizuar furgonin me ndihmat që sjellin qytetarët dhe i dërgon në Durrës dhe Thumanë.

47-vjeçari punon si avokat, por ka vendosur që të mos shkojë në punë këto ditë, por të japë kontributin personal për këtë rast.

Njësoj si Sokoli janë qindra qytetarë që vijnë vazhdimisht për të sjellë ushqime, batanije, dyshekë dhe veshmbathje për familjet e mbetura jashtë.

Një tjetër çadër është vendosur përballë teatrit kombëtar.  2 kamiona me 6 ton ndihma janë nisur nga kryeqyteti në ndihmë të banorëve të  prekur nga tërmeti që la pas viktima dhe dëme të mëdha materiale.

“ 1100 qytetarë deri tani kanë dorëzuar në mënyrë vullnetare”.

“ Kemi sjellë rroba dhe veshmbathje”.

“ Ushqimet janë të domosdoshme, ata nuk kanë ku të gatuajnë”.

“ Kam sjellë rrobat e mbesës, do shkoj sërish në shtëpi të sjell të tjera”.

“ Rrobat e mija dhe të motrës, duhet t’iu gjendemi pranë atyre njerëzve”.

Edhe Bashkia e Tiranës ka ngritur një çadër ku qytetarët dërgojnë, ushqime dhe çdo gjë tjetër të dobishme për banorët e prekur nga tërmeti. E marta është shpallur ditë zie kombëtare, në nderim të viktimave që humbën jetën nga tërmeti.

Tv Klan