Në Bejrut ka shpërthyer zemërimi i njerëzve kundër qeverisë për të cilën thonë se ishte paaftësia edhe neglizhenca e saj që çoi në shpërthimin e madh të martën.

Presidenti i vendit, Michel Aoun, tha se shpërthimi u shkaktua nga 2 750 ton amonium nitrati që mbahej në mënyrë të pasigurtë në një magazinë në port. Shumë njerëz kanë akuzuar autoritetet për korrupsion, neglizhencë dhe keqmenaxhim.

Nga ngjarja e rëndë kanë humbur jetën rreth 135 persona dhe janë plagosur 4 000 të tjerë, disa prej tyre në gjendje të rëndë. Në Liban ka nisur gjendja e emergjencës që pritet të zgjasë dy javë.

“Bejruti po qan, Bejruti po bërtet, njerëzit janë bërë histerikë dhe janë shumë të lodhur”, tha një operator për BBC, i cili kërkoi që njerëzit përgjegjës të përballen me drejtësinë.

“E kam ditur gjithë kohës që drejtohemi nga njerëz të paaftë, qeveri e paaftë, por po ju them diçka, ajo që ndodhi është absolutisht kriminale”, tregoi një banore vendase.

Të mërkurën, qeveria njoftoi se në pranga janë vënë disa zyrtarë të portit, të cilët janë vendosur në arrest shtëpie. Këshilli Suprem i Mbrojtjes tha se personat përgjegjës do të përballen me dënimin maksimale. Ndërkohë Amnesty International dhe Human Rights Watch kanë kërkuar një hetim të pavarur për shpërthimin.

Nitrati i amoniumit, që përdoret si fertilizues në agrikulturë, por edhe si eksploziv, qëndronte në një magazinë në portin e Bejrutit prej gjashtë vjetësh. Kreu i portit dhe kreu i doganave thonë se i kanë shkruar institucione disa herë rreth këtyre kimikateve që të eskportoheshin ose shiteshin për të siguruar portin.

Ministri i Informacionit, Manal Abdel Samad, tha se në arrest shtëpie do të dërgohen të gjithë ata zyrtarë porti që janë marrë me magazinimin e sasisë së nitratit që prej Qershorit të 2014-s./tvklan.al