Kërkohet drejtësi dhe përgjegjësi nga autoritetet

Qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile u mblodhën përpara Ministrisë së Brendshme për të kërkuar drejtësi për vdekjen tragjike të 7-vjeçares Jonada Avdia në plazhin e Potamit në Himarë.

Nen moton “Nuk e vrau varka, por shteti” ata kërkuan nxjerrjen e përgjegjësive për atë që ka ndodhur.

I vetmi moment i tensionuar zgjati vetëm pak çaste kur një grup protestuesish tentuan të kalojnë në sheshin përpara Ministrisë së Brendshme, por janë përballur me forcat e policisë.

Situata u qetësua shpejt dhe uniformat blu u tërhoqën. Më pas protestës i janë bashkuar edhe përfaqësues të partive politike. Kreu i Partisë Demokratike kërkoi largimin e kryeministrit Rama dhe ministrave përgjegjës për sigurinë në plazhe.

Nga Ministria e Brendshme protestuesit janë zhvendosur përpara kryeministrisë. Në shkallët e godinës u ndezën qirinj ndërsa nuk munguan thirrjet në drejtim të qeverisë.

Selia e presidencës ishte ndalesa e radhës ku protestuesit kërkuan nga kreu i shtetit Bajram Begaj të reagojë për ngjarjen. Tubimi u mbyll me një kërkesë për kryeministrin Rama. Më pas qytetarët janë shpërndarë paqësisht.

Protestuesit paralajmëruan mbajtjen e një tjetër proteste pasditen e së hënës.

Tv Klan