14 Marsi i ka gjetur shqiptarët në shtetrrethim për shkak të masave të vendosura nga qeveria për frenimin e përhapjes së Covid-19 në popullsi. Rrugët janë bosh. Qendra e Tiranës po ashtu. Sidomos në orët e para të mëngjesit.

Automjetet që qarkullojnë janë shumë të pakta, vetëm ato që kanë autorizim apo mjetët e furnizimit me produkte ushqimore.

Por me kalimin e orëve, rrugët gjallërohen më shumë. Ndoshta nuk ka makina, por njerëz nëpër rrugë ka mjaftueshëm, duke sjellë një rrezik shumë të madh për përhapjen e koronavirusit.

Ende ka persona që nuk i respektojnë rregullat. Shumë të moshuar vijojnë grumbullimet dhe mos respektimin e distancës mbi 1 metër.

Shumë prej qytetarëve vijojnë të dalin me pretekstin se do blejnë ushqime. Duke krijuar edhe radhë nëpër markete dhe sidomos në furrat e bukës.

Nga ana tjetër Policia e Shtetit vijon monitorimin e rrugëve urbane dhe interurbane, për zbatimin e urdhrit për ndalimin e qarkullimit të automjeteve në pikat hyrë dhe dalëse të qyteteve. Por të shumtë janë ata që nuk respektojnë rregullat.

Sipas njoftimit të policisë, numri i drejtuesve të automjeteve, të ndëshkuar me masë administrative 745.

Pavarësisht thirrjeve të shumta, qytetarët vijojnë të dalin në natyrë. Sot është edhe Dita e Verës, dhe shumë prej tyre kanë zgjedhur të shëtisin në Kodrat e Liqenit duke u bërë edhe rrezik potencial për përhapjen e virusit vdekjeprurës.

Klan Plus