Presidenti Ilir Meta shpreh sërish shqetësimin për qytetarët shqiptarë që kanë mbetur të bllokuar në pikat kufitare dhe nuk lejohet që të hyjnë në vend.

Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i shtetit thotë se duhet të zgjidhet sa më parë situata e qytetarëve që presin të bllokuar në doganat e Kakavijës dhe Kapshticës.

Meta i kujton qeverisë detyrimet kushtetuese që ka ndaj qyterarëve shqiptarë në një situatë të tillë të shkaktuar nga koronavirusi COVID-19.

“Jam shumë i shqetësuar mbi situatën e qytetarëve shqiptarë të cilët vijojnë ende të bllokuar në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës. 

Kjo situatë duhet të marrë zgjidhje të menjëhershme. U bëj thirrje sërish të gjithë qytetarëve shqiptarë të respektojnë kushtet e urgjencës dhe domosdoshmërisë të imponuara nga pandemia e COVID-19 në pikat tona kufitare e njëkohësisht kërkoj nga autoritetet tona përgjegjëse të respektojnë, jo vetëm kërkesat e situatës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por edhe detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare që shteti ka ndaj qytetarëve të vet në një situatë të tillë. 

Edhe njëherë kërkoj nga të gjithë më shumë bashkëpunim e mirëkuptim, solidaritet e përgjegjësi mes qytetarëve dhe autoriteteve tona në dobi të interesit publik dhe sigurisë së jetës”, shkruan Presidenti Ilir Meta. /tvklan.al