Një qytetar ka denoncuar pranë emisionit Stop në Zonë e Lirë problemin me faturat e OSHEE-së, të cilat i faturoheshin edhe pas shembjes së lokalit. Ngjarja ka ndodhur në Kurbin në Korrik të këtij viti. Qytetari Vid Prenga ka patur një lokal pranë komisariatit të Kurbinit dhe ndërtesa u shemb më 25 Korrik për shkak të një projekti.

Para se të shembej lokali, aty shkuan elektriçistët për të shkëputur energjinë elektrike, ndërsa sahati u mor nën administrim nga OSHEE. Dy ditë më parë, pra më 27 Korrik, Vid Prenga bëri kërkesë për pezullim të përkohshëm pranë OSHEE. Më pas shkoi të paguante faturën për muajin Korrik dhe pa se është mbifaturuar.

Megjithatë, vendosi që ta paguante faturën. Kur shkoi në muajin Shtator për të paguar vetëm mirëmbajtjen, u përball me një faturë prej 62 mijë Lekësh të reja. Pas këtij momenti bëri ankesë në zyrat e OSHEE-së, ndërsa paratë për pagesën i mori borxh.

Vid Prenga: Unë kam pasur një lokal këtu përballë policisë. Më datën 25 Korrik erdhi fadroma dhe e shembi. Para se ta shembnin, erdhën elektriçistët morën në aparat celular numrat e sahatit. I panë vulat dhe e hoqën. Kabllin e lanë përtokë, u shemb lokali, unë shkova më 27 Korrik tek CEZ-i edhe bëra kërkesë për pezullim përkohësisht. U dakordësova me ata, paguajta muajin që ishte dhe paguajta 5 mijë Lekëshin kamatë. Më tha do t’i paguash muajin pasardhës, më takonte të paguaja 80 mijë Lekë. Më 30 Gusht shkova për të paguar, gjeta 103 mijë Lekë. Se si sahati ka ecur unë nuk e di. Përfundimisht tha nuk kemi çfarë të bëjmë, do paguash herën tjetër vetëm 3400 Lekë dhe më s’ke më për të paguar. Shkova në Shtator për të paguar 3400 Lekë. E shkruajti 6148 Lekë. Kishin futur Lekë kot. Ju thashë s’kam Lekë për të paguar, s’kisha me vërtetë. Dola shkova kërkova Lekë borxh, i gjeta ia çova se m’u dhimbs ajo gruaja, se për CEZ-in nuk do t’i paguaja në jetë.

Vid Prenga me të drejtë kërkon paratë mbrapsht. I shoqëruar edhe nga gazetarja e Stop, Domenika Bajraktari, shkuan të dy në zyrat e OSHEE-së së Kurbinit. Shefja e kësaj zyre pranon gabimin, por thotë se do të flasë me drejtorinë qëndrore.   

Shefja OSHEE, Kurbin: Gjithsesi ne do të bëjmë të gjitha verifikimet tona në lidhje me matësin, leximi sa është dhe të trajtohet çështja jote. Tani, unë këtë përgjigje kam për momentin, sepse nuk është është në dorën tonë.

Gazetarja: Jo unë ulem këtu dhe pres dhe ju sillni faturisten e zonës, flasim për te Komisariati i Kurbinit, të më shpjegojë në këto momente, sesi e ka bërë faturimin për periudhën korrik, që ka shtuar kë nga numri, që ka qenë në matës dhe gusht, që matësi nuk ka qenë fare dhe objekti nuk ka ekzistuar fare, në një kohë, kur ju matësin e keni administruar. Të lutem!

Gazetarja: Zonjë ju sapo më provuat duke hapur dhe sistemin tuaj dhe këtë gjë mund ta kishit bërë dhe më parë! Zotëria, në momentin që është hequr sahati, dhe ju keni një foto në sistemin tuaj ka 80837 kw, ju thoni 831, po unë po e quaj 837, me foto kjo. Ndërkohë vjen fatura e korrikut, pasi është bërë kërkesa në 27 korrik, vjen fatura e korrikut me matje 80960, këtu jemi plus kë. Nga 82 mijë lekë, fatura vjen 103 mijë lekë.  Pastaj qershia mbi tortë, është gushti, që duhet të kishte vetëm mirëmbajtje 340 lekë, vjen fatura 61 480 lekë.

Shefja OSHEE, Kurbin: Po keni shumë të drejtë. Ne e shikojmë këtë gjë, por ne këtu nuk kemi të drejtë sistemim faturash.

Gazetarja: Në momentin, që merrni lekët në arkë, duhet t’ia ktheni tashmë zotërisë!

Shefja OSHEE, Kurbin: Ne do të flasim, do të bisedojmë me drejtorinë qendrore, që të bëhet kjo gjë.

Gazetarja: Të lutem! Mund të më thuash emrin e faturistes së zonës?

Shefja OSHEE, Kurbin: Lexuesi është Kenado Lika.

Gazetarja: Ku është ai?

Shefja OSHEE, Kurbin: Është në terren për momentin.

Gazetarja: Mund ta thërrisni pak Kenadon dhe të vijë këtu?

Shefja OSHEE, Kurbin: Unë e thërras Kenadon, po nuk është se mund t’i bëj ndonjë gjë kësaj.

Gazetarja: Jo Kenado do të më shpjegojë, sesi ka sjellë faturën. Kenado, faturisti i zonës, do të më shpjegojë, sesi ka bërë faturën, nga lokali, nga shtëpia, apo kur ishte zgjuar nga gjumi dhe nuk ishte mirë me numrat në mëngjes?

Shefja OSHEE, Kurbin: U thashë dhe njëherë do ta marrim në shqyrtim, sepse Kenados nuk kemi çfarë t’i themi më. Eshtë bërë ky gabim.

Gazetarja: Z. Kenado le t’i ktheje lekët zotërisë, meqënëse është situata kështu!

Shefja OSHEE, Kurbin: Do të flas me drejtorinë qendrore, sepse unë nuk kam kompetencë, t’i them lexuesit jepi lekët abonentit!

Gazetarja: Më falni! Si shefe zyre, keni të gjithë tagrin, t’i kërkoni llogari dhe t’i thoni, si e ke faturuar fistekun, në një kohë, kur nuk ka patur sahat atje.

Shefja OSHEE, Kurbin: Llogari patjetër!

Gazetari: Në një kohë kur ti në sistem e ke të mbyllur, e ke sahatin në admnistrim. I ke të gjitha kompetencat.

Shefja OSHEE, Kurbin: Për rastin në fjalë, e vetmja mënyrë është, që unë të flas me drejtorinë, sesi do të bëhet sistemimi.

Gazetarja: Sa kohë mund të zgjasë?

Shefja OSHEE, Kurbin: Do ta bisedoj!

Por, pas ndërhyrjes së emisionit Stop, OSHEE Kurbin e gjeti zgjidhjen, duke i kthyer Vid Prengën 80 mijë Lekë të vjetra nga xhepi i punonjësve abuzues.

Gazetarja e Stop bisedoi me z.Vid Prenga, dhe ky i fundit konfirmoi se i mori paratë mbrapsht, sipas të cilit, ia dhanë nha xhepi vetë faturistët.

Denoncuesi: Ato lekët m’i dhanë. M’i dhanë prej xhepit të vetë. Thanë nuk kemi të drejtë me t’i dhënë me mandat, do t’i japim me xhep. M’i dhanë ato faturistat. Atë e di dhe dreqi. 80 mijë Lekë! /tvklan.al