Qytetari Myrvet Veshi është dhunuar më 2 Tetor 2021 nga dy  persona, teksa  kryente aktivitetin e vet, si shitës ambulant peshku pranë mbikalimit në Sukth. Dy agresorët, ai thotë, se i takoi para banesës së vet dy ditë para ngjarjes, në orët e vona të mbrëmjes. Njëri prej personave ishte grabitësi i motorit të tij, Aldi Sejdini, incident, që e kishte denoncuar në “Stop” në vitin 2016. Myrveti akuzon policinë, se nuk iu përgjigj, kur ai telefonoi për dy persona të dyshimtë në derën e tij dhe po kështu zvarriti çështjen e pajisjes me një vendim për kryerjen e ekspertimit ligjor, pas dhunimit.

Në pamjet filmike që ai i ka treguar stafit të “Stopit” denoncuesi ishin më shumë se të rënda. E kishin dhunuar në fytyrë dhe në trup në mes të ditës teksa shiste peshk.

“Duke qenë se një nga autorët arrita ta identifikoja si Aldi Sejdini, një person që kishte vjedhur më përpara, u tremba dhe pashë që ata po planifikonin ndonjë grabitje apo vjedhje”, ka treguar Myrveti për gazetarin.

I dyshuari: Hiç, kot. Po pimë ndonjë cigare aty.

Myrvet Veshi, denoncues: Si e ke emrin ti?

I dyshuari: Çfarë emri do ti, o burrë? Çfarë lidhje ka?

Myrvet Veshi, denoncues: Nga je ti?

I dyshuari: Ore, nga këtu jam.

Myrvet Veshi, denoncues: Çfarë bën ti këtu?

I dyshuari: Kot, për qejf! Xhiro dalim. Çfarë ka?

Myrvet Veshi, denoncues: Pse këtu?

I dyshuari: Kot, pimë nga një cigare dhe ikim.

“Telefonova sallën operative të Manzës, por nuk m’u përgjigj. Iu luta të bënin shoqërimin e tyre. Pas dy ditësh më rrahën me dru, me doreza hekuri. Quhen Edison Shyti dhe Aldi Sejdini”, është shprehur Myrveti.

Ai pasi i kërkoi policisë të shkonin tek shtëpia e tij dhe nuk i shkuan, mori makinën iku tek stacioni i policisë.

“Nuk të japin informacione fare, të gjuajnë si top futbolli”, është shprehur Myrveti.

Ai ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kristian Josifi, oficeri i Policisë Gjyqësore, që mori deklarimin në spital.

Myrvet Veshi, denoncues: Me Kristianin flas? Për raportin mjeko-ligjor, po e pret, apo nuk është bërë akoma?

Kristian Josifi, OPGJ:  Nuk është dorëzuar akoma. Unë, thjesht, bëra atë kërkesën. Do vijë ta marrë nesër ai oficeri dhe shko aty tako atë, Yllin!

Më pas Myrveti telefonin Ylli Muah, oficeri i Policisë Gjyqësore.

Myrvet Veshi, denoncues: Më thanë, se e ke ti çështjen time. Tani, a është bërë raporti mjeko-ligjor?

Ylli Muha, OPGJ: Kush të tha ty, që e kam unë çështjen tënde? Më thuaj kush është ai? Më thuaj emrin! Vendimin për mjekun ligjor, do ta dërgojmë ne te mjeku. Ke qenë i shtruar në urgjencë, apo jo? Ok! Nesër do ta dërgoj unë te mjeku ligjor. A ke dëmtime? A ke shenja?

Myrvet Veshi, denoncues: Po, kam shenja akoma, po!

Ylli Muha, OPGJ: Ok, hajde këtu tek unë, të ta jap në dorë, se ai mbase ka harruar, se është i ri ai, 1 muaj ka, që ka filluar.

Gazetari i “Stop”shkon pranë stacionit të policisë Manëz dhe flet personalisht meoficerin e Policisë Gjyqësore Ylli Muha.

Gazetari:  Pse është bërë me vonesë vendimi për caktimin e ekspertimit, ndërkohë që shenjat i ka pasur të freskëta..?

Ylli Muha, OPGJ: Unë, përveç referimit, nuk kam bërë asnjë veprim tjetër.

Ylli Muha, OPGJ: Në dijeninë time është pajisur edhe nga kolegu. (Kristiani) Vendimi për ekspertimin, ka shkuar te mjeko-ligjor me anë të kolegut.

Gazetari: Kur?

Ylli Muha, OPGJ: Në momentin, që është marrë denoncimi.

Gazetari: Kështu ka qenë?

Myrvet Veshi, denoncues: Jo!

Ylli Muha, OPGJ: Nuk e di, nëse ti ke dijeni.

Gazetari: Kështu ka qenë?

Myrvet Veshi, denoncues: Me ke thënë, se është marrë një i ri, që është vënë tani.

Ylli Muha, OPGJ: Nuk e di. Mund të jetë ndonjë gabim njerëzor i tij.

Myrvet Veshi, denoncues: Pse na sorollatni? Ne jemi njerëz. Si mund të na godasë dikush, që nuk i kemi borxh dhe ta lini të lirë?

Kristian Josifi, OPGJ: O zotëri, se nuk kam kohë tani!

Gazetari: Po kam unë zotëri, sa ç’ke me të. Të lutem, kur i ke bërë veprimet për vendimin e ekspertit mjeko-ligjor?

Kristian Josifi, OPGJ: Nuk më kujtohet. Gjithë të mirat! /tvklan.al