Prokurori i Sarandës mban peng çështjen

Një qytetari i kanë vjedhur identitetin dhe duke përdorur emrin e tij, kanë futur në Shqipëri duke shmangur tarifat doganore 15 makina të viteve të fundit.

Bëhet fjalë për rastin e qytetarit Julian Delvina, problematikë që vijon prej vitit 2016.

Tre Prokurori nisën hetimet pasi vunë re shmangien e tarifave doganore për 15 automjetet e vitit 2015 që zhdoganoheshin sikur të ishin të vitit 2005. Bëhet fjalë për Prokuroritë e Tiranës, Përmetit dhe Sarandës.

Julian Delvina është ankuar pranë emisionit Stop sepse Prokuroria e Sarandës që ka hapur çështje ndaj tij, nuk ka mbyllur hetimet prej 3 vitesh dhe po zvarrit dosjen.

Pas një verifikimi në sistemin Tims, rezulton se Julian Delvina nuk ka kaluar në pikat doganore, ku janë zhdoganuar makinat. Gjithashtu akt–ekspertimi kaligrafik tregon se firma në procedurën e zhdoganimit të mjeteve nuk është e Julianit.

Mua më ka humbur një kartë identiteti dhe nga kjo kartë identiteti më janë krijuar shumë probleme. Kjo kartë më ka humbur rreth vitit 2016. E kuptova që më ka humbur kur më thirri Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë dhe më bëri me dije që ke një makinë të padeklaruar. Gjë që nuk kam lidhje me këtë makinë. Kam punuar në administratën shtetërore. Është përdorur identiteti im për shmangie të detyrimeve doganore. Këto makina janë të 2015 e sipër por janë zhdoganuar si të 2005. Nga informacionet që kam unë, rreth 12 apo 15 makina të viteve të fundit. Vetëm një makinë bën 15 mijë Euro dogana që duhet paguar”, shprehet Julian Delvina.

Prokuroritë e Tiranës dhe Përmetit e kanë mbyllur hetimin në emër të Julian Delvinës, pasi konstatuan se ky person nuk ka lidhje me futjen e automjeteve në Shqipëri dhe se identiteti i tij përdoret nga të tjerë. Madje, këto dy organe hetimore kanë zbuluar edhe emrat e dy personave të cilët kanë përdorur kartën e identitetit të Julian Delvinës dhe kanë shmangur tarifat doganore, duke ndryshuar vitin e prodhimit të automjeteve.

“Pas pak kohësh më thërret dhe Prokuroria e Tiranës për makinat. Bën verifikimet dhe si Prokuroria e Tiranës dhe Prokuroria e Përmetit më kthejnë përgjigje që ti nuk ke lidhje me këtë punë. Me informacionet që më kanë ardhur mua, personat rezultojnë të jenë Sandër Rubati dhe Klaudio Begaj. Nuk i njoh fare se kush janë”.

Prokuroria e Sarandës gjithashtu kishte regjistruar një procedim penal në vitin 2017. Prokurori Sali Hasa ka bërë akt-ekspertimi të nënshkrimit të Julian Delvinës dhe rezulton se firma dhe nënshkrimi nuk i përkasin shtetasit atij. Kanë kaluar 3 vite dhe hetimi nga prokurori Sali Hasa i Sarandës nuk ka dalë ende me një konkluzion.

Prokurori Hasa nuk ka marrë deklaratën e agjentit doganor, Ilir Iliazi, i cili ka bërë veprimet e zhdoganimit të mjeteve që kanë hyrë nga Porti i Sarandës. Dhe kjo për faktin se e ëma e agjentit doganor Ilir Iliazi ka punuar sekretare e prokurorit Sali Hasa.

“Më thërret Prokuroria e Sarandës, po të njëjtat veprime, me prokuror Sali Hasa. Bën veprimet dhe verifikimet dhe s’më ka kthyer përgjigje. Prokurori Sali Hasa e zvarrit këtë dosje që është në emrin tim pasi agjenti doganor që ka bërë veprimet që ka regjistruar këtë makinë, e ëma e agjentit doganor ka qenë sekretarja e Sali Hasës”.

Gazetari i emisionit Stop ka biseduar me prokurorin e çështjes, Sali Hasa, i cili nuk pranon që dosja në sirtarin e tij të ketë 3 vite.

Gazetari: Gazetari i emisionit “Stop”, televizioni Klan, interesohemi për një rast, që e keni ju në hetim dhe ka 3 vite.

Prokurori Sali Hasa: 3 vite?

Gazetari: Po!

Prokurori Sali Hasa: S’ka mundësi!

Gazetari: Ka, Julian Delvina të kujton?

Prokurori Sali Hasa: Bëni një kërkesë në sekretari dhe merrni përgjigje!

Gazetari: Jo, po s’mund ta mbash ti tre vite një çështje! Më kupton?

Prokurori Sali Hasa: Të lutem!

Gazetari: Jo të lutem, po nuk është çështje debati!

Prokurori Sali Hasa: Atëherë bëj një kërkesë, të thashë!

Gazetari: Dhe çfarë, mund ta justifikosh me kërkesë ti vonesën e këtij hetimi?

Prokurori Sali Hasa: Të nxjerrim dosjen, të japim!

Gazetari: I kam unë të gjitha të zotërisë, i cili është i pafajshëm, dy prokurori të tjera e Tiranës dhe e Përmetit.

Prokurori Sali Hasa: Bëje një kërkesë të marrësh përgjigjen! Pse e zgjasim kot muhabetin?!

Gazetari: Jo ideja, është pretendohet nga pala, që ka denoncuar në emisionin “Stop”, sepse ju keni një lidhje të themi, me një ish-sekretare këtu.

Gazetari: Pra nuk ke ndonjë koment në lidhje me këtë?

Prokurori Sali Hasa: Jo, nuk kam asnjë lloj.

Gazetari: Tre vite të mbash një dosje është…

Prokurori Sali Hasa: Si?

Gazetari: Tre vite të mbash një dosje?

Prokurori Sali Hasa: S’është e vërtetë, mo zotëri.

Gazetari: Nuk është e vërtetë?

Prokurori Sali Hasa: Jo!

Gazetari: Po mirë, faleminderit shumë.

Prokurori Sali Hasa: Hajde mirupafshim!

Në këto kushte, Dogana e Sarandës i vendosur gjobë 50 milionë Lekë qytetarit Julian Delvina për shmangie të detyrimeve, pasi çështja rri peng në Prokurorinë e Sarandës.

“Dogana e Sarandës më ka vendosur një gjobë 50 milionë Lekë për shmangie të detyrimeve tatimore. Dogana nuk ka bashkëpunuar fare me Prokurorinë, nuk ka marrë as në pyetje agjentin doganor, nuk ka marrë në pyetje as pronarin ku ka shkuar makina. Kurse Prokuroria s’ka asnjë lloj përgjigje. I kam bërë kërkesë, nuk ka përgjigje. I kam kërkuar takim, nuk pranon të më takojë. 50 milionë Lekë nuk janë pak. Në momentin që unë paguaj 50 milionë Lekë, Sali Hasa m’i ngarkon mua të gjitha makinat. Unë nuk rezultoj në asnjë vend, as në sistem TIMS, as nga firmat kaligrafike, as nga telefoni që mund ta verifikoj që unë kam lidhje apo s’kam lidhje me këta persona që i kam blerë makinën, se janë tabulatet”.  /tvklan.al