Presidenti Ilir Meta i ka dhënë këtë të hënë nënshtetësinë shqiptare Jeanine Eliane Marize Sylviane Girault Muselier, motrës së Mbretëreshës Geraldinë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kreu i shtetit në një postim në rrjetet sociale.

“Nga sot Shqipëria nuk është më atdheu vetëm i motrës së saj, Mbretëreshës Geraldine, por edhe atdheu i saj. Krenar për qytetaren më të re të Republikës së Shqipërisë, znj.Jeanine Eliane Marize Sylviane Girault Muselier, e cila pavarësisht se ka kaluar 90 vjet vazhdon me dashuri, përkushtim dhe energji si një 20-vjeçare të punojë për Shqipërinë dhe shqiptarët”

, shkruan Meta, i cili ndodhet aktualisht në Francë.

Në Dhjetor të vitit të shkuar, Presidenti e nderoi zonjën Sylviane Muselier me Dekoratën “Nënë Tereza” në mirënjohje të thellë për kontributin e vyer shumëvjeçar në ndihmesë të fëmijëve të sëmurë e familjeve shqiptare në nevojë nëpërmjet përkujdesjes së veçantë dhe ndihmave humanitare e mjekësore, si dhe në vlerësim të lartë për promovimin e imazhit dhe vlerave të rralla të Shqipërisë e shqiptarëve në Francë.

/tvklan.al