Tirana vijon të jetë kryeqendra e epidemisë së koronavirusit në vendin tonë. Nga 784 raste aktive pothuajse gjysma janë vetëm në kryeqytet, me 361 të tilla.

Tirana ndiqet nga Durrësi. Qyteti bregdetar numëron gjithashtu një numër të lartë rastesh aktive, plot  151. Megjithatë këtë të diel atje u regjistruan vetëm 3 raste të reja.

Qyteti i Shkodrës është përfshirë sërish në listën e qyteteve më të rrezikshme nga Covid-19. Listës së të infektuarve iu shtuan këtë të diel 12 persona të tjerë duke e çuar numrin total të tyre në 127.

Pesëshja e parë e qyteteve më të rrezikshme mbyllet me Vlorën e Fierin, përkatësisht 54 dhe 37 raste. Ndërkohë shtim rastesh ka pasur në Korçë ku ka shkuar në 17 numri i të infektuarve, në Lezhë rastet kanë shkuar në 16 dhe Elbasan të infektuarit kanë shkuar në 10.

Poshtë tyre ndodhen Kukësi me 8 raste, Gjirokastra me 2 raste dhe Berati me 1 rast.

Ndërkohë numri i të shëruarve ka shkuar në 1134, ku gjatë 24 orëve të  fundit listës iu shtuan 8 qytetarë. 44 persona nuk kanë mundur t’i mbijetojnë sëmundjes.

Edhe këtu, kryeqyteti është më i prekur me 24 humbje jete. Më pas vjen Durrësi me 9 viktima, Shkodra me 5 humbje jete, Fieri 4 viktima ndërsa Vlora dhe Kukësi me nga 1 humbje jete./tvklan.al