KylianMbappe përjetoi sharje raciste gjatë takimit Hungari-Francë në Budapest. Sipas gazetës holandeze “De Telegraaf”, ndaj sulmuesit 22-vjeçar u drejtuan britma imituese të majmunit në disa pjesë të stadiumit “Puskas” në sfidën e së shtunës. Por edhe lojtari tjetër francez me origjinë algjeriane, Karim Benzema u ofendua me kore raciste.

Rreth 55 mijë tifozë ishin në stadium në takimin e dytë të Grupit F, që përfundoi me rezultatin 1-1. Në të njëjtin stadium ka pasur ofendime edhe ndaj yllit të Portugalisë, Kristiano Ronaldo, ndaj të cilit u drejtuan kore, duke e quajtur homoseksual. Gjithashtu u pa edhe një banderolë me mesazh homofobik.

UEFA lajmëroi se është caktuar një inspektor etike dhe disipline për të hetuar për incidente të mundshme për takimet e 15 Qershorit të fazës së grupeve të kampionatit evropian, Hungari-Portugali dhe atij të 19 Qershorit, Hungari-Francë.

Stadiumi “Pushkas” është i vetmi nga impiantet e Euro 2020, ku lejohet që të përdoret kapaciteti i plotë. Në vitin 2015, Hungaria u dënua nga UEFA me 70 mijë euro gjobë, pasi tifozët e saj u përfshinë në një incident racist në takimin kundër Rumanisë.

Klan News