Qytetarët të shumtë që presin të udhëtojnë drejt vendeve europiane po presin në radhë për të udhëtuar, ndërsa aeroporti i Rinasit ka pezulluar punën që nga dita e mërkurë.

Ata shprehen të indinjuar, duke theksuar se kanë prerë biletën dhe u është komunikuar se fluturimi i tyre është shtyrë.

Shumica prej tyre kanë si destinacion Italinë, linja Tiranë-Bergamo, por ka edhe të tjerë që ishin nisur për në shtetin gjerman. Në total gjatë kësaj të enjteje ishin planifikuar 19 fluturime, ku dy prej tyre janë anuluar.

“Që në orën 4 të mëngjesit kemi ardhur këtu. Asnjë përgjigje nuk kanë dhënë. Fare!”, shprehet një qytetar i cili pret të udhëtojë drejt Gjermanisë.

Ata kanë shprehur shqetësimin se po u skadon edhe tamponi i cili është i vlefshëm vetëm për 48 orë, duke përmendur edhe koston e lartë të kryerjes së tij.

“Kemi ardhur që dje, na kthyen. Se çfarë do bëjmë nuk e dimë. As sqarim as asgjë. Ne sot duhet të ikim se jemi në punë, kemi edhe ne problemet tona. Kemi bërë tamponet, sot skadojnë. Çfarë të bëjmë tani, të bëjmë tampone të tjera? Edhe kushtojnë 170 mijë lek 2 tampone”, theksoi një tjetër udhëtare.

Që prej mbrëmjes të së mërkurës deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, 26 kontrollorë janë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës.

Prokuroria e Tiranës ka nisur ndaj tyre hetimet për shpërdorim detyre dhe të gjitha veprimet proceduriale drejtohen nga organi i akuzës së kryeqytetit. Deri në këto momente nuk ka asnjë person të arrestuar, por vetëm të shoqëruar.

Ndërkohë, ushtria dhe forcat e policisë kanë marrë nën ruajtje kullën e kontrollit të trafikut ajror, Albcontrol, duke e konsideruar objekt të një rëndësie të veçantë.

Klan News