Qeveria britanike angazhon ushtrinë për t’i dhënë fund krizës së karburanteve

Kriza e furnizimit me karburant është kthyer në shqetësim për Britaninë e Madhe dhe një numër pikash karburanti kanë ngritur kambanën e alarmit se po u shterojnë rezervat e naftës dhe benzinës.

Pavarësisht se kryeministri Boris Johnson tha se situata po përmirësohet qeveria e tij ka angazhuar ushtrinë për t’i dhënë zgjidhje situatës.

Radhë të gjata makinash janë parë në disa pika karburanti gjatë ditëve të fundit në Britaninë e Madhe dhe shoferëve u duhet të presin me orë të tëra. Nuk kanë munguar edhe incidentet mes tyre dhe policia ka arrestuar disa prej tyre. Kompanitë e naftës  kanë paralajmëruar se nuk kanë  mjaftueshëm shoferë për të bërë të mundur transportimin e  benzinës dhe naftës tek pikat e karburantit.

Mungesa e rreth 100,000 drejtues mjetesh ka shkaktuar kaos edhe në industri të tjera. Furnizuesit e ushqimit dhe supermarketet janë goditur rëndë  gjë që ka shkaktuar një rritje çmimesh teksa Krishtlindjet vazhdojnë të afrohen.

Britania  e Madha e cila u largua nga Bashkimi Evropian kishte vendosur të mos rekrutonte shoferë nga blloku. Për të zgjidhur problemin qeveria ka lehtësuar masat e rrepta ku deklaroi se do të lëshojë viza të përkohshme për 5,000 shoferë të huaj.

Klan News