Radikalët e djathtë dalin nga koalicioni – TV KLAN

Radikalët e djathtë dalin nga koalicioni

Të majtët kërkojnë mocion mosbesimi për Kancelarin Kurz

Kriza politike që përfshiu Austrinë pas skandalit me protagonist zv/kancelarin e dorëhequr Hainc Kristian Shtrahe vijon të thellohet. Aleatët e të djathtës radikale të Partisë së Lirisë shpallën largimin nga koalicioni qeverisës dhe kalimin në opozitë, pas vendimit të Kancelarit Sebastian Kurz për të shkarkuar edhe Ministrin e Brendshëm, Herbert Kikl.

Vendimi për shkarkimin e Kiklit erdhi pasi Kancelari Kurz tha se nuk kishte besim se ai do të lejonte zhvillimin e hetimit të ndershëm për aferat e diskutuara nga ish-zv/kancelari në videoskandal.

Në shenjë proteste ndaj vendimit të Kancelarit, dorëheqjen e dhanë ministrat e tjerë të kësaj partie, ajo e Jashtme, i Punës dhe Çështjeve Sociale, i Mbrojtjes dhe i Transporteve. Pas këtij tërmeti në kabinetin qeveritar, Kurz tha se po planifikonte krijimin e një qeverie teknike, deri në zgjedhjet e parakohshme të Shtatorit.

Radikalëve të djathtë, kjo krizë u ka shkaktuar rënie me 5% në mbështetje sipas sondazheve, ku aktualisht kanë pëlqimin e 18% të elektoratit. Ndërsa Partia Popullore e Kurzit është rritur me 4 pikë, duke shkuar në 34%.

Pas video-skandali ku Shtrahe shfaqet në krah të mbesës së një oligarku rus, mediat shkruajnë se ai është drejt ndarjes me bashkëshorten.

Tv Klan

Kategori
BotaTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*





Emisione