Spanjolli mposht grekun Tsitsipas, fiton turneun për herë të 12-të

Rafael Nadal është fituesi i turneut të Barcelonës. Spanjolli bëri një paraqitje fantastike në fushat me dhè në turneun e zhvilluar në Katalonjë. Ai mundi 2-1 në finale grekun Stefanos Tsitsipas, një ndeshje që zgjati 3 orë e 38 minuta, një maratonë.

Një ndeshje spektakolare, ku të dy tenistët dueluan fort për fitoren. Nadal humbi 2 “match point” në setin e dytë, në avantazhin 5-4, ndërsa Tsitsipas humbi 1 “match point” në setin e tretë, kur udhëhiqte po 5-4.

Këto shifra e bënë mjaft dramatike ndeshjen, ku emri i fituesit mbeti enigmë deri në fund, një ndeshje që dukej se s’do të mbaronte kurrë. Gjithsesi, Nadal konfirmoi edhe një herë se është “mbret” i fushave me dhè, duke shkëlqyer pavarësisht moshës.

Ky është suksesi i 12-të i Nadal në këtë turne, triumfi nr.61 në fushat me dhè. Tashmë një javë pushim për spanjollin, që do të luajë edhe në dy turnetë Masters të Madrid e Roma, për të tentuar suksesin në grand slam të Roland Garros, teksa e ka fituar plot 13 herë, si askush tjetër në historinë e tenisit.

Klan News