ISHTI: Nafta e bllokuar probleme me cetan-in, ul fuqinë e motorit

Autoritetet shtetërore janë duke ushtruar kontrolle të imtësishme në rafinerinë e Ballshit, jo vetëm në depozitat naftëmbajtëse të saj, por edhe sa i takon së pagesës së taksave nga ana e kompanisë Tosk Energji që aktualisht shfrytëzon uzinën.

Ahmet Shehu, drejtor i Inspektimit, Naftës dhe Gazit në Inspektoratin Shtetëror Teknik, thotë se çdo depozitë e saj do të kontrollohet me analiza të plota përpara se të hidhet në qarkullim për tregtim, ndërsa një javë më parë kontrollet në rafineri ushtruan edhe doganat.

 “Në bashkëpunim me Doganën kemi ushtruar kontroll edhe për faturat , kontroll të plotë. Shumë shpejt do të shohim se çfarë është bërë në këtë rafineri dhe do të ndërmarrin hapa të shpejtë për kontrollin e saj në lidhje me cilësinë për të gjitha produktet e veta në të gjitha depozitat.”

Dy ditë më parë Inspektorati Shtetëror Teknik bllokoi 620 mijë litra karburant të kompanisë Tosk Energji, të cilat nuk përmbushin parametrat e cetanit. Ahmet Shehu thotë se ky indeks në momentin që nuk është brenda standardeve ul fuqinë e motorit të makinës dhe krijon probleme me ndezjen e tij.

 “Në Ballsh ishim duke kontrolluar cilësinë pas zhdoganimit, pas analizimit në laboratorin qendror ka rezultuar me shmangie në dy tregues: në numrin e cetanit i cili ka rezultuar me 45.9 nga 51 që është minimumi i standardit, dhe indeksi i cetanit ka rezultuar me 45.5 nga 46 që është minimumi i standardit. Këto dy tregues kanë të bëjnë me fuqinë e motorit të makinës dhe ndezjen e saj.”

Problemet më të mëdha me përzierjen e naftës dhe tregtimin e saj jashtë standardeve të cilësisë janë me lëndët hidrokarbure që rafinohen në vend. Aty do të jetë edhe fokusi i inspektoritatit të cilësisë, në rafinerinë vendase dhe pikat e karburanteve në zonën në ku përpunohet ajo.

 “Është e vërtetë që nga rafineritë ka vështirësi për shkak të llojit të naftës dhe teknologjisë së vjetër. Do të ushtrojmë kontrolle në subjektet që janë afër me rafinerinë dhe do të fokusohemi në zonën Fier, Berat, Vlorë.”

Vetëm gjatë këtij viti në tregun vendas janë shitur 25 mijë ton naftë të cilat janë përpunuar në rafineritë vendase. Prej 1 viti uzina e Ballshit menaxhohet nga kompania Tosk Energji, ndërsa gjatë dekadës së fundit firmat që e shfrytëzuan atë kanë krijuar një gropë gjigande në buxhetin e shtetit duke mos paguar taksa, ndërsa kanë nxjerrë fitime marramendëse.

Tv Klan