Shkon në 33 numri i të prekurve me koronavirus

Shkon në 33 numri i të prekurve me koronavirus

11:18 13/03/2020

Mes tyre edhe një mjek i spitalit të Durrësit

Numri i të prekurve me koronavirus në vendin tonë ka shkuar në 33 këtë të premte.

Në 24 orët e fundit nga ana e Institutit të Shëndetit Publik në bashkëpunim me epidemiologët e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor, ka vazhduar pa u ndalur puna në terren, për gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara tashmë me Covid-19, për të cilët ju kemi informuar në daljet e mëparshme.

Në 24 orët e fundit janë realizuar edhe 159 testime të reja dhe kjo e çon numrin total të testimeve të kryera në 457.

Deri në këto momente janë konfirmuar pozitivë me COVID-19, 33 raste, nga të cilat: 8 prej të cilëve janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri dhe Rrogozhina)

25 raste janë të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore në shtëpi.

Nga rastet e konfirmuara pozitivë:
Tiranë 19 raste
Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
Lushnje 1 rast
Elbasan 2 raste
Fier 4 raste
Rrogozhinë 2 raste

Në një njoftim për mediat, Ministria e Shëndetësisë thotë se mes të infektuarve është edhe një mjek i spitalit të Durrësit, aty ku u shënua edhe viktima e parë nga koronavirusi. Mjeku mësohet se nuk ka simptoma dhe është vetëizoluar.

“Siç ju kemi bërë të ditur në daljet e mëparshme, pas testimit të kampionit të parë të 50 mjekëve dhe infermierëve në spitalin e Durrësit të cilët rezultuan negativë, ISHP ka vazhduar me gjurmimin e kontakteve, marrjen dhe testimin e mostrave të reja të stafit mjekësor në Spitalin Rajonal Durrës”.

Në bazë të rezultateve që tashmë kanë dalë, nga kampioni i dytë i mostrave të marra, 39 mostra të mjekëve, infermierëve dhe pacientëve, vetëm 1 mjek rezulton pozitiv, i cili nuk ka simptoma, aktualisht është i vetëizoluar dhe po hulumtohet më tej. Gjithsej janë kryer 89 testime në spitalin e Durrësit”, thuhet në njoftimin e MSH.

Nga numri total i të prekurve nga COVID-19 janë 25 persona të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore dhe 177 të vetëkarantinuar.

Ministria e Shëndetësisë përsërit thirrjen të gjithë qytetarëve, të respektojnë rregullat e reja dhe të qëndrojnë në shtëpi. Të kufizojmë rrezikun sa më shumë të jetë e mundur!

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tha se tashmë që OBSH ka shpallur pandeminë na koronaviriusi masat që janë marrë duhet të merren seriozisht.

OBSH ka shpallur pandeminë nga koronavirusi i ri që do të thotë se bota ka transmetim komunitar në më shumë se 2 kontinente. Kjo është një situatë që duhet vlerësuar me seriozitet dhe masat që janë marrë për distancimin social duhet të merren me seriozitet. Ne do të vazhdojmë me gjurmimin e rasteve në terren dhe nuk është e nevojshme që çdo person të testohet”, tha Bino./tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi