Ministria e Mbrojtjes: Presim miratimin

Ministria e Mbrojtjes në Kosovë pret përgjigje pozitive dhe ka shpresa të mëdha që Kongresi Amerikan do ta aprovojë kërkesën e tyre për blerjen e raketave Javelin nga SHBA-ja.

Në një përgjigje për Tv Klan zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes Liridona Gashi ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës është duke ndërtuar kapacitetet e mbrojtjes në koordinim me partnerët strategjikë, me theks të veçantë SHBA-në dhe ka marrëveshje për blerje ushtarake nëpërmjet programit për shitje të huaja ushtarake.

Në kuadër të këtij programi, sipas saj, përveç sistemin raketor antitank parashihen të blihen edhe sisteme të tjera të armatimit.

“Për sistemin “Javelin” është dërguar kërkesa për një sasi prej 246 në vlerë prej 75 milionë dollarë. Për këtë blerje ministri Maqedonci ka diskutuar me DASH-in dhe Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së gjatë vizitës së tij zyrtare. Sipas informacioneve që kemi marrë kjo marrëveshja tashmë është përcjellë për aprovim në Kongres dhe presim vendim pozitiv”.

Besim të plotë se Kongresi do ta përkrahë këtë shitje ka shprehur edhe presidentja Vjosa Osmani.

“Kam besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje të mundshme për vendin më pro-amerikan në botë, si një akt i cili do ta rrisë sigurinë në Kosovë, në rajonin tonë, si dhe në kontinentin evropian”.

Ka reaguar presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç i cili pas një takimi me ambasadorin amerikan në Beograd “shprehu zhgënjimin e thellë”. Më 2028, kur pritet që FSK-ja të shndërrohet ushtri, ajo parashihet t’i arrijë të gjitha kapacitetet operacionale për, siç është thënë, ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Tv Klan