Zelenski: Pa eksportin e grurit ukrainas, krizë e re refugjatësh

Raketat ruse godasin sërish zonat civile në Odesa. Bilanci është tragjik, 20 të vrarë mes të cilëve një fëmijë dhe të paktën 38 të lënduar.

Zyrtarët ukrainas thanë se raketat u hodhën nga luftanijet ruse të Detit të Zi, ndërsa Moska thotë se po godet objektiva ushtarake.

Kievi premtoi hakmarrje të shpejtë për këtë sulm, teksa rrebeshi i raketave dhe predhave ruse ka shkaktuar viktima edhe në zona të tjera lindore. Presidenti Volodimir Zelenski përmes një video-mesazhi drejtuar popullit austriak paralajmëroi se nëse nuk lejohet menjëherë eksporti i drithit ukrainas, rrezikohet një tjetër valë masive emigrantësh të uritur drejt Austrisë dhe Europës.

Në krahun tjetër Rusia konfirmoi se një anije me 7000 tonë drithë u largua nga qyteti i Berdianskut në Ukrainë, por nuk dihet ende se ku do të përfundojë kjo ngarkesë.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen kërkoi nga Kievi të miratojë ligjin kundër oligarkëve, si pjesë të paketave integruese në BE. Teksa lufta ka hyrë në ditën e 128, Ukraina thotë se numri i ushtarëve rusë të vrarë është gati 36 mijë.

Tv Klan