Hedh idenë e monarkisë parlamentare: Princ Leka, trashëgimtar legjitim i fronit

49 deputetë kërkojnë shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, por për Ralf Gjonin kjo nuk është detyrë e këtij parlamenti. Ai u shpreh se pas zgjedhjeve të 25 Prillit, deputetët e kuvendit aktual nuk kanë legjitimitet për të hetuar dhe shkarkuar Metën. Sipas Gjonit, kjo i takon parlamentit të ardhshëm.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Gjoni u shpreh se republika jonë në formën aktuale nuk mund të qëndrojë më. Ai u shpreh se nëse vazhdohet me republikën parlamentare, Presidenti duhet të zgjidhet nga populli.

Megjithatë, deputeti opozitar hodhi edhe idenë për monarkinë parlamentare dhe kjo të vendoset me referendum.

“Parlamenti i Shtatorit le të shkarkojë presidentin sepse kur shkarkohet presidenti duhet të mendojmë edhe për emërimin e Presidentit të ri. Këtu vij tek ajo që duhet të bëjmë sot të gjithë si politikanë aktual, por edhe deputetët e ardhshëm të këtij kuvendi. Ne duhet të reformojmë shtetin shqiptar në mënyrë rrënjësore. Kjo republikë në formën aktuale nuk mund të qëndrojë më. Taulant Balla sot mban një fjalim për shkeljet e Presidentit, por e di pse ndodh kjo, sepse nuk ka një ligj për të rregulluar kompetencat e Presidentit të Republikës dhe për rrjedhojë Presidenti mund të jetë i qetë, por edhe nevrastenik. Nuk është në Kushtetutë që Presidenti duhet të jetë i qetë. Këto janë grirje sallatash, kot, janë debate boshe, nuk kanë bazë kushtetuese. A thua se dalldia e Ilir Metës paska vendosur në rrezik marrëdhëniet strategjike me SHBA. A ka ndonjë infantil shqiptar që mund ta besojë një marrëdhënie të tillë? A thua se marrëdhëniet tona me Uashingtonin varen nga deklaratat e njërit apo tjetrit. Parlamenti i ardhshëm duhet të vendosim a duam një republikë parlamentare me një President kukull, apo duam që Presidenti të zgjidhet nga populli. Do isha që nëse ruhet formati presidencial i republikës parlamentare, Presidenti të zgjidhej nga populli dhe mbaron njëherë e mirë pazari i pistë kronik i zgjedhjeve të Presidentit nga parlamentet. Ose hajde hapim një debat të madh kombëtar nëse duam të bëjmë një referendum të ri për t’i kërkuar shqiptarëve a duan shqiptarët presidenta që futen në konflikt me ekzekutivin, apo ndoshta shqiptarët mund të preferojnë një sistem monarkik. Pra një monarki parlamentare ashtu siç e ka Britania, Danimarka, Suedia, Holanda. Pse jo? Princi Leka që është trashëgimtar legjitim i fronit mbretëror shqiptar do të ishte personazh shtetëror shumë herë më dinjitoz se të gjithë presidentët e 20 viteve të fundit të marrë së bashku. Do të na vendoste në hartën europiane. Do të rritej respekti për këtë vend. Ju preferoni që të zgjidhni presidenta në mënyrë të shëmtuar siç e bëtë në 2017”, tha Gjoni./tvklan.al