1000 kilometra rrugë të ndërtuara dhe 40 kantiere të hapura në të gjithë vendin. Ky është bilanci që kryeministri Rama i bëri infrastrukturës rrugore dhe asaj hekurudhore në tre mandate qeverisje të socialistëve.
“12 vjet duken shumë, por më minimalja e ndërtimit të infrastrukturës në Europë është 7 deri në 9 vjet”, tha Rama.
Pas shlyerjes së borxheve të paraardhësit të tij, sfida e radhës si kryeministër tha se ishte ajo e ndërtimit të autostradrave që lidhin Shqipërinë me rrjetin e BE-së.
“Me këto projekte ne do kemi dy autostrada të kategorisë A që lidhin Shqipërinë me të gjithë rrjetin e autostradave të BE-së”, tha Rama.
Çdo projekt infrastrukturor thotë se e ka jo vetëm në funksion të ekonomisë, por edhe Shqipërisë turistike.
“Një Zvicër, një Austri e Ballkanit”, tha Rama.
Rrjeti hekurudhor është edhe ambicia e radhës, për të cilën thotë se i duhet në 11 Maj vota e shqiptarëve.
“Është ndryshim epokal”, tha ai.
Ndërsa zv/kryeministria Balluku tha se 10 vitet e ardhshme Shqipëria do të ketë një rrjet modern hekurudhor prej 530 km që do të lidhë veriun e jugun, që nis nga projekti Kuq e Zi.
“Kalon nga Shkodra në drejtim të Gjakovës, për t’u lidhur pastaj me Fushë Kosovën”, tha Balluku.
Më herët, gjatë një vizite në një kompani të zhvillimit të teknologjisë dhe inovacionit Rama tha se qeveria po mendon të bashkëpunoje me to për projekte te caktuara.
Një nga proceset ku Rama beson se do të ishte e suksesshme Inteligjenca Artificiale është dhe rishikimi i legjislacionit që në shumë raste ka mbivendosje mes ligjeve.
Tv Klan