Veliaj: Do të shemben godinat nr. 15, 18 dhe 19 në Qytetin Studenti

Të gjitha familjet e prekura nga tërmeti në Tiranë, banesat e të cilëve janë dëmtuar, do të përfitojnë 100%  qiranë për një vit. I pranishëm gjatë mbledhjes së Këshilit Bashkiak të Tiranës, Kryeministri Edi Rama tha se është bërë gati edhe skema e riparimeve të banesave.

Më herët, kreut i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kushdo që pengon evakuimin dhe rrezikon jetën e banorëve, do të ndiqet penalisht.

“Kur je në një situatë të vështirë emergjence dhe fatkeqësie natyrore, politika e vjetër nuk heq dorë; skenat që pashë mbrëmë, ku një ish-deputete shkonte dhe therej me policinë dhe zjarrfikësen, ishin të pashembullta. Ky nuk është momenti për të bërë politikë. Do të vijnë në 2023 zgjedhjet lokale dhe le të fitojë më i miri, nëse nuk e bëjmë mirë këtë punë. kështu që nëse më parë këta personazhe i kam çuar dhe i kam paditur në gjykatë për shpifje dhe i kam fituar ato beteja, kësaj here do t’i padis penalisht, nëse dikush pengon zjarrfikësen apo policinë që të bëjë evakuimin dhe rrezikon jetën e banorëve do të paditet penalisht”.

Gjatë mbledhjes së të enjtes, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar vendimin për shembjen e godinave  nr. 15, 18 dhe 19 në Qytetin Studenti të cilat janë shpallur  të  pabanueshme nga dëmet e tërmetit të 26 Nëntorit.

Tv Klan