Kryeministri Rama e cilëson si një kapitull të mbyllur fitoren në luftën kundër kanabisit.  Pas raportimit qe u bë në mbledhjen e Task-Forcës së ngritur për zbatimin e planit kombëtar për të luftuar këtë fenomen, kreu i qeverisë i vlerësoi shifrat e prezantuar si te mjaftueshme për ta shpallur histori të kaluar “ hashashin”.

“Ky vit shënon vitin me sasinë më të ulët, me herë, të kanabisit të kultivuar në Shqipëri qysh prej vitit 1991.

Policisë se shtetit i kërkoi të kalohet në një tjetër etapë të luftës me kriminalitetin, atë të hetimit të plotë të aseteve të rrjeteve kriminale duke nisur nga makinat luksoze e deri tek pasuritë e paluajtshme e llogarite bankare te pajustifikuara.

Individë me imunitet të marrë përmes rrugës së veprimtarisë kriminale nuk duhet të gjejnë vrimë ku të futen në këtë vend dhe jo më të shfaqen si faktorë shoqërorë me influencë në komunitetin tonë. Makina luksoze që sfidojnë ligjin, pasuritë e paluajtshme të këtyre shoferëve, që janë të papunë luksi, llogaritë bankare të pajustifikueshme, biznese të palidhura me një histori rritjeje, duhet t’i nënshtrohen një procesi kapilar dhe rigoroz verifikimi ligjor.

Sipas kryeministrit suksesi i deritanishëm i rrjeteve kriminale ka qenë bashkëpunimi me punonjës policie të implikuar, ndaj ai i kërkon kreut të policisë se shtetit vëmendje më të madhe në këtë drejtim.

Nuk është askush në këtë vend më i fortë se Policia e Shtetit. Forca e të fortëve këtu vjen nga implikimi i Policisë së Shtetit.

Ajo çka është me rëndësi ne këtë fazë të re të luftës ndaj krimit të organizuar në vend sipas kreut të qeverisë është bashkëpunim i ngushtë i policisë me të gjitha strukturat që nga shërbimet inteligjente e deri tek drejtoria e tatimeve për të verifikuar origjinën e pasurive që vijnë nga trafiqet e krimi.

/Tv Klan