Refuzimit nga ana e Presidentit Meta, nuk e ka lëkundur vendosmërinë e Ramës për ta parë Genti Cakajn si ministër të Puneve të Jashtme. Përveç se e ka sulmuar Presidentit për këtë hap që e cilëson si avaz i përsëritur i politikes se vjetër, përpara përfaqësuesve të trupit diplomatik të mbledhur në një pritje në kryeministri, Rama e prezantoi Cakajn si ministrin e ri të Jashtëm dhe Ditmir Bushatin për të cilin Meta ende s’ka firmosur shkarkimin si ish ministër.

“Më vjen sinqerisht keq, që pasuesi i tij, një shqiptar i ri nga Prishtina, me një dituri të admirueshme dhe modesti të spikatur intelektuale, gjëra të cilat do të keni mundësinë t’i konstatoni nga afër, e ka nisur rrugëtimin e tij si ministër i ardhshëm i Europës dhe Punëve të Jashtme në një mënyrë tejet të pazakonshme në pazakonshmërinë e mjedisit tonë politik dhe publik.”

Leximi që Rama u bën argumenteve të Metës e çojnë në bindjen  se janë 3 arsyet e refuzimi të Cakajt.

“E kanë sulmuar dhe shkelur dinjitetin e tij për të paktën 3 arsye: Sepse është shumë i ri, domethënë, nuk i përket botës së tyre të vjetër; Sepse është shumë i pastër, domethënë, nuk mund të akuzohet për asgjë; Sepse është nga Prishtina, domethënë, që një shqiptar nga Kosova nuk mund të marrë një detyrë kaq të lartë, por, ama, si kosovar mund të përdoret si mish për top nga të gjithë ata që haptazi, ose nën rrogoz i janë kundërvënë egërsisht, me vandalizëm verbal, dialogut Kosovë-Serbi.”

Rama mohoi që  Cakaj të jetë shprehur për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ai kurrë nuk ka shprehur asgjë që bie ndesh me politikën tonë të jashtme. Kush e thotë këtë, ose është një keqdashës, ose është një keqlexues, ose të dyja bashkë, ose edhe më keq akoma. Ai kurrë nuk ka predikuar ndryshime kufijsh në Ballkan dhe as ka marrë përsipër të ndërhyjë ndonjëherë në një çështje si ajo mes Kosovës dhe Serbisë, që i takon lidershipit demokratikisht të zgjedhur të Kosovës dhe popullit shqiptar që jeton në shtetin e Kosovës, në radhë të parë.”

Thënë të gjitha këto Rama përpiqet te saktësojë qëndrimin që qeveria e tij ka për dialogun Kosove-Serbi.

“Dua ta bëj të qartë, për të gjithë dhe njëherë: Shqipëria e mbështet dialogun dhe inkurajon një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e cila të pranohet dhe të garantohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian. Pikë!”

Ambasadorëve Rama u foli dhe për projektin që ka për hapjen  e kufirit me Kosovën në pranverë dhe i ftoi që mos ta lexonin këtë si një nismë për të zbatuar projektin e Shqipërisë së Madhe, por si një model që vetë BE e ka zbatuar përmes modelit Schengen.

Tv Klan