Kryeministri Rama deklaroi në konferencën e kësaj të marte me gazetarët se kishte marrë në Bruksel angazhimin për 30 mijë vaksina të tjera në muajin prill nga Pfizer.

A po i përshtatet axhendës tuaj dhe mbërritja e vaksinave? Një ditë më parë ministrja e Shëndetësisë tha se do të shtyheshin për një ditë tjetër, por me mbërritjen tuaj në Rinas mbërritën dhe vaksinat, çfarë ndodhi?

“Ndodhi ajo që ndodh gjithmonë me mua dhe ata që flasin anglisht dhe fatmirësisht në këtë pjesë jam shumë i kënaqur që nuk jam vetëm sepse kam edhe dy të tjerë që e bëjnë pa asnjë gajle të njëjtën gjë, ministrin e shtetit për Rindërtimin dhe ministren e Shëndetësisë.

Ndodhi ajo me ‘gishta në vesh’ që ‘o do vijnë sot ose do vijnë sot’. Kjo ndodhi. Unë vërtetë jam lypësi më i gjatë dhe më i madh kur vjen puna për nevojat e këtij vendi, por nuk jam një lypës që kthej faqen tjetër kur ha shuplakën e moskorrektesës dhe të indiferencës të atyre që marrin përsipër angazhime. Kaq e thjeshtë është.

Jo vetëm ndodhi ajo, por si rezultat i asaj ndodhi edhe tjetra që morëm dhe angazhimin për 30 mijë vaksina të tjera në muajin Prill nga Pfizer”, tha Rama./tvklan.al