Revolucion imagjinar me punonjës bashkie i ka konsideruar Kryeministri Edi Rama incidentet e ditëve të fundit nëpër disa KZAZ në qytete të vendit. Duke folur nga foltorja e Kuvendit, kreu i qeverisë u ndal fillimisht tek mosmiratimi i lejes për miting nga Kryebashkiakja e Shkodrës. Ai tha se kjo nuk ka ndodhur që prej vitit ’91. Për Kryeministrin opozita ka humbur busullën dhe nuk ka as mbështetjen e shumicës së shqiptarëve dhe as të ndërkombëtarëve.

“Sot e ne kemi planifikuar takimin elektoral në Shkodër. Çfarë po ndodh? Për herë të parë që nga viti 1991 qysh kur kemi nisur fushata elektorale, rishfaqet fenomeni i dëshpëruar në shëmtinë e vet i anti-mitingashëve. Ka pas Shqipëria dhe momente të rënda, por ka pasur një konsensus mes forcave politike që nuk pengohet aktiviteti i tjetrit. Enveristët fanatikë në ‘91 që përpiqeshin në grahmat e fundit t’i zinin rrugën PD-së, sot rishfaqen në grahmat e asaj partie që ka humbur totalisht busullën dhe sensin e misionit për të cilin lindi dhe rrogëtarët e paguar nga taksat po i përdor njësoj siç përdorte asokohe Partia e vjetër e Punës disa falanga njerëzish pa të ardhme”.

Ripërsërit që 30 Qershori do të jetë dita e zgjedhjeve, “duan apo s’ duan”, ndërsa nuk i kursen as akuzat për Presidentin Ilir Meta.

Duke u ndalur tek letra që Meta i drejtoi kreut të Burgjeve, ku kërkonte informacion për sigurinë në institucionet e vuajtjes së dënimit, Kryeministri tha se kishte informacion se “4-shja kanë komunikuar me persona në burgje duke i nxitur që të marrin në dorë pjesët e tyre të revolucioni të tyre imagjinar”. Rama e akuzoi Metën se me vendimin e tij për anulimin e datës së zgjedhjeve i hodhi benzinë zjarrit.

“Mbase plani është për të bërë një 2 Prill sot pasdite, sepse asnjë nuk ka ndryshuar në vizion, qasje e metodë, në kokën e tij që është lideri suprem i PD. Fatkeqësisht ky është edhe rezultati i përfshirjes skandaloze të atij që sot është në zyrën e Presidentit, por që e ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë zyrë duke i hedhur benzinë zjarrit”.

“Morëm informacion se njerëz që lehtësisht mund të verifikohen se me kë janë lidhur, me 4 që i janë kundërvënë Europës, kanë komunikuar me persona në burgje duke i nxitur që të marrin në dorë pjesët e tyre të revolucioni të tyre imagjinar. Pas këtij informacioni, del letra e Presidentit të shqetësuar për situatën në burgje. Nëse presidenti do të ishte i interesuar për situatën në burgje, minimalisht nuk duhet të rendte për të publikuar letrën. Pavarësisht se ai sot ndihet komandati suprem, ai nuk ka asnjë tagër t’i drejtohet askujt tjetër veç ministrave për informacion. Tanimë farsa është në sytë e të gjithëve”.

Sa i përket audiopërgjimeve të publikuara nga gazeta gjermane Bild, Rama tha se do të kërkojë zbardhjen e të vërtetës nga gjykatat gjermane.

“Do t’i kërkoj gjykatave gjermane që të zbardhin tërësisht të vërtetën lidhur me gjithçka që është thënë në adresën time. Ndërkohë që lidhur me atë bisedë që u dëgjua, unë e kam bërë dhe do ta përsërisja përsëri po të kthehesha mbrapa. Biseda të tilla kam bërë me të gjithë shtabet e koordinatorët në të gjithë Shqipërinë, pa asnjë problem. Shqiptarët duhet ta kuptojnë që ’97, gjakderdhja përplasja, është e gjitha pjesë e skemës propagandistike.”/tvklan.al