Gjatë një takimi me fermerët në Cërrik, kryeministri Edi Rama shpjegoi përfitimet që pritet të ketë sektori i bujqësisë, pas integrimit të Shqipërisë në BE.

“Nëse ne bëhemi anëtarë të BE, 300 milionë Euro janë vetëm për bujqësinë. Tani çfarë nënkupton kjo, nëse kemi një 300 milionësh çdo vit, atëherë normalisht që mbështetjen nga buxheti e lëvizim diku tjetër”, tha Rama.

Kreu i qeverisë ndal te regjistrimi i tokave, që sipas tij pritet të përfundojë deri në 2028.

“Po bëhet i gjithë regjistrimi i inventarizimit dixhital, pra i kompjuterizuar. Parashikohet që të mbyllet i gjithi në 2028”, tha Rama.

Konceptin e Paketës së Maleve synon ta shtrijë edhe për tokat e punuara.

“Në këto toka që me një dëshmi të Këshillit Bashkiak të hyni në një marrëdhënie me shtetin, sepse ajo konfiguron tokë shtetërore, ta paguajnë 1 Euro, të bëjnë investimin e tyre dhe në  momentin kur të përfundojnë investimin ta regjistrojnë si tokën e tyre”, tha Rama.

Gjatë vizitës në Elbasan, kryeministrii Rama, së bashku me zv kryeministren Balluku inspektuan punimet për autostradën Elbasan-Lekaj.

Kreu i qeverisë u ndal edhe në kantierin e unazës bujqësore ku po ndërtohet aksi Muriqan-Fermë.

Ky segment lidh tre bashki Cërrikun, Belshin dhe Elbasanin.

Klan News