Teksa zgjedhjet po afrojnë, kryeministri Edi Rama ka angazhuar qeverinë dhe partinë për të hartuar programin politik dhe jo vetëm.

Në një mbledhje dy ditore në Pallatin e Brigadave në Tiranë, me ministrat, drejtuesit e qarqeve dhe kryesine e grupit në parlament, kreu i qeverisë, njëkohësisht si kreu i Partisë Socialiste, ka kaluar në sitë punën e gjithsecilit, për të vlerësuar jo vetëm angazhimin e tyre, por dhe për të piketuar çfarë duhet të përfshijë në programin elektoral.

Klan Neës mëson se në takimin e së premtes që zgjati 6 orë nuk ka pasur diskutim specifik për listat e kandidatëve, por janë pranuar sugjerimet e të gjithë drejtuesve të qarqeve.

Mbledhja e kryesisë në 12 Mars, kur përfundon dhe afati ligjor, do të vulosë garuesit zyrtarë të socialistëve.

Një tjetër çështje në tryezë është dhe vota e diasporës. Numri i lartë i emigrantëve që kanë fituar të drejtën e votës, do të kërkojë një angazhim më të madh të socialistëve në fushatën jashtë vendit.

Në sitën e shefit të qeverisë është edhe performanca e kryebashkiakëve të majtë, disa prej të cilëve mund të jenë kandidatë në garën për parlamentin e ri.

Socialistët do të rikthehen të shtunën në Pallatin e Brigadave ku në tryezën e diskutimeve, lista e kandidatëve pritet të marrë më shumë vëmendje.

Klan News