Aeroporti i Kukësit do të jetë në punë në pranverë. Kështu u shpreh këtë të mërkurë kryeministri Edi Rama. Ai tha se aeroporti në Kukës ka filluar të marrë formë dhe pse faza përmbyllëse e punimeve do duhet të marrë disa muaj.

Gjithashtu kreu i qeverisë u shpreh se do ta mbajë premtimin e tij dhe do të sjellë nga Londra 120 kuksianë për të votuar për PD-në.

“Aeroporti i Kukësit operacional do të jetë funksional në pranverë, nuk e kam harruar objektivin që 120 vota për PD t’i sjell me avion nga Londra. Do përzgjidhen ato që kanë sharë dhe kanë përqeshur më shumë idenë për aeroportin e Kukësit. Nëse më ndjekin i ftoj të akumulojnë kredite për udhëtime falas, duke i sharë sa më intensivisht dhe duke u tallur sa më intensivisht. Kush do shajë më shumë do hyjë në avion dhe do zbresë në Kukës për të votuar Partinë Demokratike. 120 vota me fluturim falas. Ky është një objektiv që shpresoj ta realizojmë”, tha Rama./tvklan.al