Kreu i qeverisë, Edi Rama, në një dalje për mediat këtë pasdite të së hënës, ka reaguar sërish ashpër ndaj mediave, tradicionale dhe portaleve, duke bërë thirrje që të bëjnë kujdes me informacionet që përcjellin.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se sapo kishte takuar një djalë që kishte humbur babanë.

Rama u shpreh se fillimisht viktima ishte plagosur pas tërmetit por ndërsa po merrte ndihmë në spitalin e Durrësit, të afërmit e kishin zhvendosur prej aty pasi kishin dëgjuar në lajme se ky spital po shembej dhe gjatë transportit, kishte humbur jetën.

“Kam takuar një djalë që humbi babanë, ishte duke vdekur në spitalin e Durrësit dhe duke qenë se njerëzit nuk rrinë dot pa parë televizor, panë që do shembet spitali i Durrësit, e morën babanë nga frika dhe u vdiq rrugës.

Kjo është papërgjegjshmëri kriminale e medias, që në kushtet e një situatë të jashtëzakonshme, ku populli ka nevojë për tu trajtuar si pacient dhe jo si audiencë që duhet tërbuar, është kriminale, e kam me ata që mbajë përgjegjësi për ato kanale të ndezura dhe portalet që kanë atë prapashtesën tjetër… të humbin jetë njerëzish dhe të çoroditen një popull i terë dhe ta shohë shtëpinë si varr, kjo është skandaloze”. /tvklan.al