Pranvera e ardhshme është një objektiv i arritshëm për kryeministrin Edi Rama për të përfunduar procesin e vaksinimit për të gjithë qytetarët. Kreu i qeverisë duke folur nga sheshi përballë stadiumit “Air Albania” ku prezantoi ekipin e tij garues për zgjedhjet e 25 Prillit në Tiranë tha se vaksinimi do të intensifikohet në ditët në vijim falë disa marrëveshjeve që janë në proces.

Ai u shpreh i bindur se Shqipëria do t’ia dalë që ky sezon turistik të jetë më i lehtë falë edhe vaksinimit të shumë njerëzve për të këputur shumë pjesë në zinxhirin e infektimeve.

“Ne ia kemi dalë që të qëndrojmë në një ekuilibër të arsyeshëm me procesin e vaksinimit që do të vazhdojë të intensifikohet falë edhe disa marrëveshjeve të tjera që kemi në proces, jam i bindur që do ia dalim edhe në ambicien për ta bërë këtë sezon turistik më të lehtë, pikërisht duke vaksinuar shumë njerëz dhe duke këputur në shumë pjesë zinxhirin e infektimeve, ndërkohë që mbetemi të bindur dhe optimist që se objektivi shumë ambicioz për ta përfunduar krejt procesin e vaksinimit deri në pranverën e ardhshëm dhe ne do t’ia dalim që ta realizojmë”, tha Rama.

Më herët kreu i qeverisë u shpreh se brenda Pranverës së ardhshme do të përfundojë edhe procesi i rindërtimit.

Luljeta Bozo zbulon pse pranoi të bëhej pjesë e PS

“Çdo gjë e kisha menduar, që të bëhesha gjyshe, ndoshta edhe stërgjyshe, por që të hyja në politikë nuk më kishte shkuar ndonjëherë në mendje të them të drejtën”. Kështu shprehet inxhinierja Luljeta Bozo, e cila kryeson listën e kandidatëve të Partisë Socialiste për Tiranën.

Në aktivitetin ku u prezantuan kandidatët e kësaj liste, Bozo zbuloi arsyet që e kishin çuar të pranonte ftesën e Kryeministrit Edi Rama.

“Kur erdhi ftesa me shumë dashamirësi dhe respekt nga zoti Edi Rama dhe pasi më hoqi disa pasiguri Lali Eri, duke pasur në konsideratë mendimin e të gjithë atyre njerëzve të njohur dhe të panjohur, pas tërmetit, që u bëra e njohur nga tërmeti, që kërkonin të kishin njerëz si puna ime që janë shumë në Shqipëri, donin që të kishin njerëz të tillë për t’i përfaqësuar Kuvend apo në vende të tjera, nuk ka rëndësi, unë e pranova ftesën, në këtë moshë që jam”.

Bozo vlerësoi Partinë Socialiste për punën e bërë prej 2013-s deri më sot dhe argumentoi arsyet përse i duhet dhënë një mandat i tretë.

“Zgjodha PS sepse është një parti shumë progresiste, me shumë vizion, ato që merr përsipër i bën. Nuk bën vaki ndonjëherë që të ketë dhënë ndonjë premtim dhe të mos e ketë mbajtur ndoshta plotësisht për arsye të ndryshme jo, por e ka mbajtur. Dhe duhet patur parasysh që në këtë periudhë pati dy ngjarje shumë-shumë të vështira, tërmeti dhe pandemia, të cilat i ndërprenë në një farë mase atë punën që kishte për të arritur të gjitha objektivat. Unë nuk mund ta le pa përmendur dhe e kam thënë gjithmonë që njerëzit nuk duhet ta harrojnë ku e mori PS në 2013-n, çfarë reformash të jashtëzakonshme, të pakrahasueshme bëri gjatë kësaj periudhe, që nuk janë bërë asnjëherë në Shqipëri dhe pse duhet patjetër të votojnë, t’i japim mundësinë e mandatit të tretë që punën e nisur ta çojmë më tej, për të mirën e të gjithëve, për të mirën e Shqipërisë, e popullit tonë, e rinisë, që të mos gjejë rrugën për të ikur, po të rrijë këtu në vendin e vet që e kemi të bekuar nga perëndia. Jam besimplotë që me mënyrën e tregoi veten qeveria në këto 15 muaj, sesa bukur diti ta menaxhojë një situatë të tillë që nuk e kanë menaxhuar vende të tjera.

Rama: Skuadra e PD-së për Tiranën, katastrofë

Gjatë prezantimit të ekipit të tij në zgjedhjet e 25 Prillit në Tiranë, kreu i qeverisë Edi Rama u ndal për të folur edhe për kundërshtarët e tij në Partinë Demokratike. Kryeministri u shpreh se skuadra e selisë blu për Tiranën është më katastrofikja. Sipas tij, kombinimi i personave në listën e PD-së është fatal për drejtësinë, ekonominë dhe Shqipërinë nëse marrin drejtimin e vendit.

Rama tha se kreu i PD-së, Lulzim Basha, është thjesht administrator i kësaj partie, ndërkohë që sipas tij, ata që i luajnë ‘fijet’ nga pas janë Ilir Meta, Sali Berisha dhe Monika Kryemadhi.

“E patën mundësinë qysh në shekullin e kaluar ta tregojnë veten dhe e treguan se për sa vlejnë. Jam i bindur sikur ne të kishim kapacitetin të bënim një eksperiment dhe ta rikthenim filmin e historisë dhe të rikthenim protestat studentore dhe në atë shesh atje përballë asaj turme me 100 mijë që kërkonin heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga universiteti, të projektonin në një ekran të madh skuadrën e Tiranës të vitit 2021, do iknin të gjithë me vrap, jo më të vazhdonin të protestonin. Investojnë besim tek një skuadër e cila në Tiranë ka shëmbëlltyrën e vet më katastrofike, por në themelin e vet ka faktikisht një kombinim fatal personash që largqoftë i bie të jenë ata që nesër kontrollojnë drejtësinë, ekonominë, kontrollojnë Shqipërinë me një lider që nuk është lider, por thjesht administrator dhe me Ilir Metën, Monikën e Saliun që luajnë nga mbrapa të gjitha fijet e atij teatri kukullash. Është e pamundur ta imagjinosh që mes kujtdo qoftë në këtë skuadër dhe shumëkujt në atë skuadër, se nuk i fus të gjithë në një thes, por ajo në peshon në atë skuadër, ai që është boshti i asaj skuadre, aty ku buron vendimmarrja e asaj skuadre është një katastrofë dhe zgjedhja në këtë rast është e qartë njësoj siç është qielli që kemi mbi krye”, tha Rama. 

Majko: Konkurrencën e kemi me kundërshtarët dhe jo me njëri-tjetrin

Kryeministri Edi Rama prezantoi pasditen e kësaj të marte kandidatët për deputetë në qarkun e Tiranës. Rama i dha fjalën Pandeli Majkos, për të cilin tha se përveç faktit që është i 19-ti në listë, ka edhe një arsye tjetër për të folur.

“Unë do të doja që në emër të të gjithë atyre që nuk kanë nevojë për vizibilitet të veçantë sepse kanë prej disa vitesh që janë në këtë arenë, të flasi më i riu prej tyre. Përveç faktit që është i 19-ti unë po i jap fjalën edhe për një arsye tjetër, sepse duke qenë se pas meje Pandi është i dyti që ka marrë gjithçka nga PS-ja, për këtë ai është i vetëdijshëm siç jam dhe unë i vetëdijshëm për t’u treguar shumë i gatshëm që t’i përgjigjet edhe asaj që është kërkesa e natyreshme e kësaj beteje. Që Pandi të jetë veçanërisht aktiv në këtë fazë të ndeshjes ku faktikisht fillon zyrtarish fushata për pak dhe ditë dhe ku sigurisht ne duhet të jemi shumë të pranishëm jo vetëm në komunikimin e afërt me njërezit, por edhe në komunikimin publik”, u shpreh kryeministri.

Ndërkohë, Majko gjatë fjalës së tij u shpreh se kundërshtari i tyre politik, në këto zgjedhje është në luftë për mbijetesë, ndryshe nga PS-ja që sipas tij është një ekip shprese. Mes të tjerash ai nënvizoi se Tirana është qyteti i kryeëndrrave dhe ndaj kanë detyrimin të bëjnë një kryefushatë.

“Tani unë të them të drejtën, në emër të të gjithë kolegëve kam një lloj presioni për këto zgjedhje, por nuk vjen nga fakti që jam numri 19 në listë, por vjen nga pesha e përgjegjësisë që besoj e ka çdokush nga që nga numri 1 deri në 36. Dhe kjo ka të bëjë me faktin që Tirana është sheshbeteja e kësaj fushate elektorale. Këtu nuk shtrohet fjala vetëm për të diskutuar matematikën. Se do fitojmë 19, se do fitojmë 20, se do fitojmë 21, apo se do fitojmë më shumë. Këtu çështja shtrohet pak më thelbësore. Së pari ky ekip nuk është një ekip mbijetese por një ekip shprese. Ekipi jonë është një ekip që bën diferencën me ekipin që kemi përballë.

Ekipi që kemi përballë është një grup njerëzish që përpiqen të mbijetojnë në politikë, kurse ekipi jonë është një ekip që ju bën të qartë të gjithë njerëzve, por në radhë të parë socialistëve dhe atyre që e kanë votuar PS-në, ata që e kanë përkrahur Partinë Socialiste në ditë të vështira dhe tani jemi shumë afër shkruarjes së historisë, marrjes së mandatit të tretë. Por kjo nuk është edhe aq e thjeshtë. Nuk është kaq e thjeshtë sepse ne jemi skuadra që përfaqëson PS për të marrë mandatin e tretë në kryeqytetin e Shqipërisë, që nuk është thjesht kryeqyteti i Shqipërisë. Është një Shqipëri e kondesuar që mbart brenda kryeëndrrat, kryeshpresat dhe kryekërkesat. Dhe përballë ekipit të mbijetesës ne kemi ardhur pa diskutuar me njëri-tjetrin se kush është i pari i dyti, i treti, vija e zjarrit apo vija e sulmit. Në thelb ne jemi një ekip ku të gjithë bashkë, pavarësisht nëse kanë ardhur ditën e parë apo kanë këtu prej vitesh, mendon se ia kemi vënë vetes qëllimin se konkurrencën kryesore ne e kemi me kundërshtarët tanë dhe jo me njëri-tjetrin. Mbase edhe si pak më i vjetri dëshiroj t’i drejtohem edhe publikut të Tiranës për secilin prej kolegëve tanë që janë në këtë listë, nga i pari tek 36, votën për secilin e ka në radhë të parë votë për PS-në për të vazhduar këtë ndryshim i cili i ngjan pak a shumë edhe si stadium i ri nën hijen e të cilit ne bëjmë këtë takim. Themelin ai e ka tek Qemal Stafa, por mbi të ngrihet krejtëshisht diçka tjetër. Ashtu siç ne po përpiqemi dalëngadalë të ndërtojmë një shtëpi të re jo vetëm për shqipëtarët e këtij brezi por edhe për shqiptarët e brezit të ardhshëm. Tirana ka më shumë kërksesa se çdo pjesë tjetër e Shqipërisë sepse këtu fle kryeëndrra. Ndaj kemi detyrimin të bëjmë një kryefushatë”, tha Majko.

Rama: Në Tiranë fitojmë 20 deputetë, teatrin e ri e ndërtojmë brenda mandatit të ardhshëm

Kryeministri Edi Rama pret që PS-ja të fitojë 20 deputetë nga Qarku i Tiranës. Teksa prezantoi skuadrën e tij për zonën më të rëndësishme elektorale në vend, Rama tha se numri 19 është numri minimal i kandidatëve që mendon Partia Socialiste për të fituar.

Rama nuk la pas batuat me kandidatin e renditur ne vendin e 19, ministrin Pandeli Majko, ndërsa tha se në zgjedhjet e ardhshme ai do të jetë i 20-ti në listë dhe premtoi se prezantimin do ta bëjë tek Teatri i ri Kombëtar duke nënkuptuar do të ndërtohet brenda mandatit të 3.

“Sa më takon unë di dhe do përmend vetëm numrin e PS-së dhe pastaj u takon të gjithëve të bëjnë zgjedhjen e tyre për çdonjërin nga kandidatët që preferojnë, por 19 është një numër që unë e përmend e para se është numri i Pandit, e dyta sepse është objektivi ynë minimal në Tiranë, e treta sepse në Tiranë do të fitojmë 20 deputetë, dhe e fundit, kur Pandi të jetë i 20 në zgjedhjet e tjera do të flasë për Teatrin e ri Kombëtar njësoj siç foli për stadiumin sot sepse këtë takim në kushte të pashtrënguara nga pandemia, dhe me siguri edhe me komunitetin artistik rreth e rrotull, pas 4 vjetësh do ta bëjmë tek Teatri i ri Kombëtar. Për të gjitha këto arsye numri 19 është i veçantë. Shpresoj që Elisës të mos i mbetet hatri që unë përmend numrin 19”, tha Rama.

Rama: Luljeta Bozo dhe Najada Çomo, jo zgjedhje të rastësishme

Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të martë skuadrën e PS-së në Tiranë për zgjedhjet e 25 Prillit. Kreu i qeverisë ishte në mes të dy emrave surprizë të këtyre zgjedhjeve Luljeta Bozos dhe Najada Çomos.

E sipas Ramës kjo zgjedhje nuk është e rastësishme për dy arsye. E para sipas tij është e nevojshme të adresohet përfaqësimi tek kategoria e profesionistëve që kanë pasur rol tek tërmeti dhe pandemia, por edhe vullneti i qeverisë për të çuar në fund këto sfida të nisura.

Për tërmetin Rama tha se të gjitha gjurmët do të zhbëhen pranverën e ardhshme, ndërkohë qeveria do të sigurtë daljen nga pandemia.

“Luljeta me Najadën nuk janë zgjedhje të rastësishme. Cfarë do të kishim bërë, si do të mund ta përballonim si shoqëri goditjen nga virusi nëse nuk do të kishim bërë gjithë ato punë të mëdha që janë bërë në sektorin e shëndetësisë. Është e paimagjinueshme ta mendosh që çfarë mbështetje, përkujdesje, mundësie do të kishte sistemi ynë shëndetësor, për t’u qëndruar mjekëve, infermierëve dhe sallat e reanimacionet nëse virusi do të kishte zbritur disa vite më parë, kur sistemi ynë ishin në një gjendje, të thuash e mjerueshme është pak. Prania e Luljetës dhe Najadës në këtë skuadër, është adresimi i nevojës së përfaqësimit tek kategori e profesionistësh dhe individësh që kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në këto 15 muaj të fundit nëse nisemi që nga tërmeti dhe nga ana tjetër është shprehje e vullnetit tonë për të çuar deri në fund përballjet e nisura dhe që janë në vijim qoftë në zhbërjen totale të gjurmëve të tërmetit gjë që besoj fort që do të jetë realitet në pranverën e ardhshme kur do të jenë kryer punët e nevojshme për të sistemuar familjet që kanë nevojë për shtëpi të re, qoftë për të dalë për të dalë përfundimisht nga tuneli i kësaj pandemie e cila e ka shtrënguar fort hapësirën e gjithë aktivitetit normal të vendit dhe të njerëzve. Mendoj që kemi arsyet të ndihemi krenarë për çfarë kemi bërë dhe të ndihemi të sigurtë për atë që vjen”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria është në rrugën e duhur për ta bërë Shqipërinë të ardhmen e fëmijëve tanë.  

“Besoj që përtej këtyre dy sfidave të mëdha që janë në syrin e përditshëm në të gjitha drejtimet e tjera jemi në gjendje të themi me plot gojën që çka është bërë është provë e faktit se ku duam të shkojmë dhe e dimë si do të shkojmë aty ku duam për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë, për ta bërë Shqipërinë zgjedhjen e parë të kujtdo”, tha Rama./tvklan.al