Kryeministri Edi Rama mblodhi këtë të martë drejtuesit politikë të qarqeve të Partisë Socialiste në selinë rozë. Në përfundim ai pati një prononcim për mediat ku foli ndër të tjera edhe për Amnistinë Penale.

Kreu i qeverisë tha se amnistia është në tryezën e Kuvendit dhe atë do ta votojnë të gjithë deputetët. Sipas tij, kjo është një praktikë që parlamenti e ka bërë pa ndarje partiake edhe në të shkuarën.

“Duhet t’i referoheni një deklaratë të Ministrit të Drejtësisë në kohën kur dukej sikur ishte retorikë. Ajo është deklarata. Amnistia është në tryezën e Kuvendit dhe atë besoj unë do ta votojnë që të gjithë sepse nuk kanë ku shkojnë pa e votuar. Sepse nuk është puna që do të votojnë për PS, por për një akt që historikisht parlamenti e ka bërë pa ndarje partiake sepse është një akt që e bëjnë të gjitha vendet e civilizuara, krijon mundësi që shteti të ushtrojë edhe detyrimin kushtetues të lehtësimit të barrës së dënimit për gjithë ata njerëz që meritojnë të shfrytëzojnë këtë detyrim”, u shpreh Rama.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme në mbledhjen e grupit parlamentar shumica socialiste vendosi të risillte për votim në seancën plenare të 4 Prillit projektligjin e Amnistisë Penale.

Vendimi u diskutua dhe mes Kryeministrit, Kryeparlamentares, Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe kreut të grupit kuvendor, të cilët për disa minuta janë mbledhur në zyrën e Lindita Nikollës, në Kryesinë e Kuvendit (Lexo më shumë)./tvklan.al