Anëtarët e Partisë Socialiste do të kenë mundësi që përmes një platforme online të vlerësojnë kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 25 Prillit 2021.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i PS Edi Rama, i cili në një konferencë shtypi nga selia rozë, tha se kjo platformë dhe vlerësimi që do të japin anëtarët e Partisë Socialiste do të ndihmojë për të vlerësuar më mirë kandidatët për deputetë, si dhe do të japë një gjykim për punën e deputetëve aktualë.

Rama theksoi se gjykimi dhe opinioni i anëtarësisë së PS mbi deputetët dhe kandidatët do të jetë tërësisht i fshehtë.

“Ne do të hapim dhe një proces tjetër lidhur me deputetët që njerëzit duan. Këtu nuk do të shohim krah, kush është kush, do t’i japim mundësi të gjithëve që të japin opinione lidhur me figura të cilat gëzojnë respekt. Do të jetë një proces i hapur dhe që do të na krijojë një zgjedhje më të gjerë. Duke qenë në kushtet kur me listat e hapura të gjithë kandidatët në listë janë potencialisht të zgjedhshëm, atëherë na duhet që minimalisht ta dyfishojmë skuadrën. Sot kemi një skuadrë me 74 deputetë. Është shumë e rëndësishme të bëjmë vlerësimin e deputetëve aktual, jo thjesht një vlerësim nga qendra mbi si njerëzit atje e shohin secilin dhe secilën. Do të jetë një vlerësim i fshehtë, i garantuar plotësisht në raport me çdonjërin që gjithësekush ta bëjë vlerësimin ndjesi pasigurie se vlerësimi do të shihet nga ata që do të vlerësohen, dhe do të jetë vlerësim që do të analizohet në mënyrë të drejtpërdrejt me vetë deputetët. Afati që kemi lënë është një afat i arsyeshëm. Ne kemi vendosur një afat paraprak fundin e Nëntorit dhe struktura do të angazhohet që t’i nxisim anëtarësinë e partisë që të bëjë punën e vetë. Brenda vitit të kemi qartësi mbi skuadrën që kemi dhe mbi stolin potencial të rezervave të reja për të futur në skuadër”, u shpreh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Këto komente, Rama i bëri gjatë prezantimit të platformës online të PS, ku çdo anëtar i kësaj partie do të ketë aksesin e vetë personal në këtë platformë. /tvklan.al