Kryeministri Edi Rama ka anuluar urdhrin e ministrit teknik të Drejtësisë Gazmend Bardhi, i cili pezulloi të gjitha dorëheqjet e drejtorëve të Hipotekave që u dorëzuan 24 orë pas ultimatumit të shefit të qeverisë.

Në një reagim për mediat, Zyra e Kryeministrisë sqaron se “dorëheqjet nuk mund të refuzohen dhe hetimi administrativ i Ministrit mund të vazhdojë pa asnjë pengesë. Nëse nga hetimi administrativ do të verifikohen shkelje të ligjit, regjistruesit që i kanë bërë këto shkelje duhet të shkojnë përpara drejtësisë”.

Kryeministria rikujton se në qeveri ekziston një kod sjellje i miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave dhe nuk mund të shkelet nga askush.

“Qeveria shqiptare ka një Kod Sjelljeje, të miratuar me VKM, qysh në mbledhjen e saj të parë dhe asnjë ministër, qoftë politik a teknik, qoftë në ikje a në ndenje, nuk mund ta shkele këtë Kod, i cili përcakton qartë se qeveria nuk është një grup individësh që veprojnë në kokën e tyre, po një skuadër që drejtohet nga Kryeministri dhe funksionon mbi bazën e parimit të thjeshtë të aprovimit paraprak nga Kryeministri, të veprimeve administrative apo komunikimeve të ministrave me publikun”,

thotë Zyra e Shtypit e Kryeministrisë.

Gazmend Bardhi pezulloi procedurat e miratimit të dorëheqjeve për të gjithë drejtuesit e Hipotekave për të nisur një hetim të plotë administrativ mbi veprimtarinë e tyre, me arsyetimin se zyrtarët publikë që shkelin ligjin dhe të drejtat e qytetarëve, duhet të largohen me masë disiplinore   “shkarkim nga detyra”. Por, ky vendim i tillë, tashmë është anuluar nga Kryeministri Edi Rama.

/tvklan.al