Ndalimi i Emiljano Shullazit, pas denoncimit të bërë publik nga ish – Kryeministri Berisha, për kërcënimin e kandidatit për rektor në garën për kreun e universitetit të Tiranës, për Kryeministrin Rama, i cili ka preferuar të mos përmendë emra, por të flasë për ngjarje, është thjeshtë shprehje e standardit të vendosur nga qeveria e tij.

Kryeministri zgjodhi të flasë në inagurimin e godinës së re të Universitetit Politeknik, një ditë përpara zgjedhjeve për krerët e gjithë universiteteve në vend, duke thënë se qeveria dhe partia e tij nuk kanë influencuar në asnjë mënyrë për asnjë nga kandidatët në garë.

Por ndryshe mendon kreu i opozitës, Lulzim Basha, i cili arrestimin e Shullazit e sheh si rezultat të punës së prokurorisë dhe ndikimit të faktorëve ndërkombëtar për të mbështetur luftën kundër krimit të organizuar.

Pak ditë më parë, kandidati për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni dha dëshminë e tij në policinë e Tiranës për kërcënimin që kishte marrë për t’u tërhequr nga gara. Kandidatja tjetër në këtë garë është Klodeta Dibra, e cila është këshilltare e PS në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Elja Zotka/Tv Klan