Kryeministri Rama ka bërë realitet premtimin që bëri pak orë para zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave. Përpara grupit parlamentar, ai deklaroi se për vitin e ardhshëm nuk është parashikuar asnjë qindarkë në buxhetin e vitit 2018 për këtë institucion.

“Ne nuk do të financojmë Akademinë e Shkencave. Qendra e studimeve Albanologjike do të vazhdojë të financohet siç është financuar. Në kushtet e reja, akademia sovjetike e shkencave do të duhet të hyjë në një proces reforme që nuk mund të diktohet nga shteti, ndërkohë që paratë e shpenzuara kot për rroga dhe shpenzime të pajustifikuara do të shkojnë për kërkimin shkencor në universitet”.

Në prezantimin që i bëri projektbuxhetit të vitit të ardhshëm përpara se të nisë diskutimi në komisione parlamentare, Rama e cilësoi si projektin që sjell rritje ekonomike dhe punësim real, i foksuar tek investimet në infrastrukturë dhe sipas tij nuk sjell rritje taksash.

“Buxheti është programuar për një rritje mbi 4% qysh në vitin e ardhshëm. Nuk ka rritje taksash për 97% të popullsisë dhe as për kompanitë”.

Për pushtetin vendor, kryeministri tha se ka rritje të fondeve nga portofoli buxhetor por vendos një kriter të qartë për të gjitha bashkitë e majta e të djathta.

“Ne nuk mund të pranojmë më që të financojmë qoftë edhe 1 qindarkë për bashki socialiste apo demokrate që mbas reformës administrative territoriale kanë shtuar personel”.

Kreu i qeverisë lajmëron se në janar do të nisë një operacion i madh për ndërprerjen dhe ndëshkimin ndaj abuzuesve me ujin e pijshëm, ndërsa këto muaj sipas tij do të shërbejnë që të marrin masa për t’u futur në binaret e ligjshmërisë.

Tv Klan