Godina do të pajiset me të gjitha aparaturat e nevojshme

Edi Rama s’ka humbur kohë dhe menjëherë sa mori garancinë e presidentit Erdogan për ndërtimin e Spitalit Rajonal të Fierit ka kërkuar nga drejtuesit e pushtetit lokal përcaktimin e vendit ku do të ngrihet godina pranë Bypassit të ri në këtë qark.

Veç godinës, qeveria turke ka marrë përsipër dhe pajisjen e spitalit me të gjithë aparaturat e nevojshme si dhe administrimin e tij nga ekspertë dhe mjekë turq për një periudhe qe kryeministrit thotë se do të jetë një periudhe tranzitore, por nuk jep afate konkrete.

“Do të jetë njëkohësisht një qendër e transferimit të teknologjisë e të dijes nga sistemi shëndetësor turk në sistemin shëndetësor shqiptar, duke u administruar e drejtuar në çdo pavijon prej ekspertëve e mjekëve turq për një periudhë tranzitore, deri në kalimin e kompetencave tek drejtuesit shqiptarë, të cilët do të punojnë e mësojnë krah për krah ekspertëve turq, për ta marrë më pas të gjithë përgjegjësinë mbi supet e tyre. Ky spital që do t’i shërbejë jo vetëm Fierit, do të jetë nga dita e parë pjesë e shërbimit tonë publik shëndetësor dhe natyrisht shërbimi do të jetë falas si në çdo spital publik të Shqipërisë”.

Nga kryebashkiaku i Fierit ka kërkuar që mos të ketë asnjë vonesë për procedurat ligjore. Pavarësisht garancive te marra personalisht nga presidenti Erdogan, Rama shprehu skepticizmin e tij për përmbylljen e këtij spitali rajonal brenda 3 muajve.

Tv Klan