Audio-përgjimi që Kryeministri zgjedh ta quajë filmi “Babalja 1”, me skenar dhe regjit të Partisë Demokratike, për të ka qenë një përpjekje e pastër për të rrëzuar qeverinë.

“Në filmin ‘Babale 1’ kemi bashkepunim me përfaqësues të krimit të organizuar. Kemi korrupsion dhe përfshirje të drejtpërdrejtë të partisë politike dhe oferta korruptive dhe më shumë se kaq se filmi është konceptuar me skenarë të shkruar në dy skuta të shtetit shqiptar. Do ju ftoja që kjo shfaqje mos kalojë si shfaqje e radhës”.

Rama thotë se e di të vërtetën deri në fund, pasi atë e ka zbuluar posaçërisht për të një grup pune i ngritur me urdhër të tij. Nëse mediat e bëjnë publike këtë të vërtetë, ai thotë se do të jetë ai që do të zbulojë skenarin ku eksponentë të PD, që janë përfshirë në këtë montazh, kanë kryer një sërë veprash penale.

“Unë i di të gjitha, po pres. Nuk kam për ta lënë pa nxjerrë, që për 1001arsye mund të mbulohet, të jeni të bindur se shqiptarët do ta mësojnë kush është e vërteta nga A te Zh”.

Nga mediat kërkoi të zbardhin dhe të vërtetën e Taulant Ballës, që akuzohet nga oficeri Emiliano Nuhu se ka qenë pjesë e kërcënimit me armë që i është bërë nga babai dhe xhaxhai i Rexhep Rrajës në komisariatin e Fushë-Krujës.

Për të ashpërsuar luftën kundër krimit të organizuar në të njëjtën konferencë të zhvilluar pas mbledhjes së qeverisë, Kryeministri lajmëroi dhe një sërë masash që do të ndërmerren.

Të dënuarit dhe të dyshuarit si të përfshirë në krimin e organizuar dhe organizata terroriste do të ketë monitorim 24 orë në burgje me kamera. Do të përgatitet një pakete ligjore për të goditur grupet e “të fortëve”.

“Qeveria ka nisur një paketë ndryshimesh në Kodin Penal për “të fortët”. Së shpejti këtë paketë do e çojmë në Parlament për të kërkuar dhe mbështetjen e opozitës, e cila shpresojmë që të kthehet nga bota e filmit në botën e përballjes reale”.

Në funksion së sigurisë, një tjetër vendim i marrë nga qeveria është ai për vendosjen e oficerëve të sigurisë në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar.

Tv Klan