Kryeministri Edi Rama e ka përshëndetur menjëherë si sukses të Ministrit të Brendshëm, Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, prangosjen e Klement Balilit.

“Prapa hekurave një hap i madh përpara në luftën kundër krimit të organizuar dhe një përgjigje kuptimplotë, për të gjithë qentë që lehin, ndërkohë që karvani do të ecë me vendosmëri përpara Urime për këtë rezultat Ministrit Lleshi, Policisë së Shtetit dhe SHISH”.

Në rrjetet sociale Rama ka ironizuar dhe komentet e bëra nga mediat, duke shtuar se ndryshe nga sa thuhet, prangosja e Balilit është fryt i një nga operacionet më të sofistikuara policore që ka vazhduar për muaj të tërë. Edhe Presidenti Meta ka përshëndetur dorezimin e ish-drejtorit të Transporteve të Sarandës.

“Ai ka probleme të rënda me ligjin”.

Opozita thotë se Rama ka bërë pakt me të shumëkërkuarin me të njëjtën skemë si me ish-ministrin Tahiri. Dhe këtë, sipas deputetit Edi Paloka, e tregon moskonfiskimi i pasurive të Kelmend Balilit.

“Vetëdorëzimi i Kelmend Balilit nuk është hap i madh në luftën kundër krimit, por është skemë e kontrolluar dhe menaxhuar në pakt me Edi Ramën. Vetëdorëzimi i Balilit, që ka patur këto 5 vjet mbrojtjen e qeverisë së Edi Ramës, tregon se policia, qeveria dhe drejtësia janë në duart e Edi Ramës që ka lidhur fatin e tij politik me fatin e krimit”.  

Ndërsa Lulzim Basha, në një postim në rrjetet sociale, tha se “Ramës i djeg e vërteta pasi shqiptarët do ta shohin shpejt lehtësimin e Balilit nga akuzat për trafik droge”.

Ambasada amerikane dhe kreu i zyrës së delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë Luigi Soreca e cilësuan arrestimin e Balilit një hap të madh në rrugën drejt sundimit të ligjit dhe një përparim të prekshëm drejt hapjes së bisedimeve me BE.

Tv Klan