Kryeministri: Është e vetmja zgjidhje, në rajon ka ndikim rus

Hyrja e Ballkanit Perëndimor në BE është e vetmja zgjidhje për konfliktet, sipas kryeministrit Edi Rama.  Në forumin e dialogut në Berlin, kreu i qeverisë shqiptare ngriti shqetësimin e ndikimit rus në disa shtete në rajon.

“Ballkani Perëndimor ka një histori mjaft të vështirë, por është në zemër të Europës. Nuk ka asnjë zgjidhje përveç futjes së Ballkanit Perëndimor në BE. Shqipëria është e drejtuar 100% për nga komuniteti euroatlantik. Por në vendet e tjera kemi më shumë prani ruse, më shumë ndikim rus dhe kjo duhet zbutur plotësisht duke integruar më shumë Ballkanin Perëndimor në BE”.

Sipas tij, agresioni rus i ka hapur sytë gjithkujt dhe i ka bërë të gjithë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij procesi.

“Agresioni rus i ka hapur sytë gjithëkujt, por nga ana tjetër BE ka problemet e veta. Ndonjëherë siç e thotë një miku im, na duket sikur duke qenë të duruar për shkak të historisë sonë dramatike, duke e parë BE-në si psikolog, shohim që edhe psikologu është i traumatizuar.”

Kryeministri Rama nënvizoi se pavarësisht qëndrimit të BE, Shqipëria do të vijojë të bëjë detyrat e Shtëpisë. Synimi i radhës është që brenda 2023, vendi ynë të jetë eksportues neto i energjisë.

Klan News