“6 mijë njësi tregtare përfituan nga heqja e tarifave”
Pa iu referuar specifikisht ngjarjeve të fundit në Kosovë, por duke e lënë të nënkuptuar se mesazhi i adresohej edhe kësaj situate, kryeministri Rama vlerëson se shembulli për t’u ndjekur në rajonin tonë të brishtë është ai i Francës dhe Gjermanisë që i shtrin dorën njëra-tjetrës e bën paqe pas Luftës së Dytë Botërore.
“Kjo i hapi rrugën Europës që kemi. Europës që për herë të parë në histori bëri që brezat të mos shihnin luftë dhe sot që lufta është në dyert tona, në Ukrainë, është thelbësore që ne të mos e shohim luftën si një videogame, si një lojë, por si një katastrofë, të cilën duhet ta shmangim me çdo mjet kudo, në çdo lloj forme ajo të marrë edhe përmes konflikteve më të vogla që nga historia e rajonit tonë e dimë që mjaftojnë për të ndezur më pas, jo vetëm një luftë ballkanike, por edhe një luftë europiane, madje botërore”.
Duke folur në ministerialin e ministrave të Ekonomisë nga Ballkani e BE, që i paraprijnë samitit të Berlinit të 16 tetorit në Tiranë, Rama kërkon që të shikohen rezultatet e bashkëpunimit ekonomik në kuadër të këtij procesi të nisur nga Angela Merkel në 2014 pavarësisht se komunikimi politik është i vështirë.
“Mund të mos biem dakord për një sërë gjërash në këtë rajon, mund ende të kemi çështje të rëndësishme ende të pambyllura në këtë rajon por përmes këtij procesi të gjithë kemi mësuar që e vetmja mënyrë për tu marrë edhe me mosmarrëveshjet tona është të përpiqemi të biem sa më shumë dakord dhe të bëjmë sa më shumë për atë çka mund të bëjmë së bashku dhe sa më shumë kemi bërë gjëra së bashku aq më shumë kemi parë , gjithmonë e më tepër kemi parë sesa e rëndësishme është që të trajtohen çështjet tona të pambyllura. Besoj shumë fort se sa më e mirë të jetë atmosfera e bashkëpunimit, aq më e mirë është hapësira edhe për të trajtuar çështje shumë të vështira”.
Për rezultatet e bashkëpunimit në kuadër të këtij procesi, por dhe Ballkanit të Hapur edhe pse nuk i referohet fare kësaj nisme me emër, Rama flet me shifra.
“6 mijë shoqëri tregtare në Ballkanin Perëndimor kanë përfituar nga aktivitetet e nxitjes së tregtisë nga të gjitha heqjet e barrierave jotarifore, nga panairet e përbashkëta, nga ngjarjet e përbashkëta, të cilat kanë përfshirë shoqëri tregtare të Ballkanit Perëndimor sidomos dhe mbështetje të përshtatur për qasjen në fondet e Bashkimit Europian në raport me tregun”.
Përpara takimit të 16 Tetorit kur liderët e BE dhe Ballkanit Perëndimor për herë të parë do të takohen jashtë hapësirës së unionit, duke përzgjedhur Tiranën një sërë takimesh në nivel ministrash po zhvillohen për të rakorduar axhendën e mbledhjes së liderëve.
Tv Klan