Kryeministri Edi Rama u shpreh nga Mynihu se zgjedhja e Donald Trump është mundësia që të zgjohet Europa.

“Zgjedhja e Donald Trump është akti më bujar i Zotit kundrejt Bashkimit Europian për t’i dhënë një shans shumë të madh Europës që të zgjohet dhe Europa duhet së pari të mos jetë kaq vetëreferente. Jam shumë dakord me Martën që vlerat, parimet, ajo që i bën bashkë shtetet anëtare duhet të mbeten të tilla, por ndërkohë nuk duhet të jenë kushtëzime për të pasur miq në këtë botë”, tha ai.

Në një panel nga Konferenca e Sigurisë, ku flitej për zgjerimin, Rama tha se Ballkani Perëndimor është një tokë mundësish për BE. Ai tha se unioni duhet të shohë horizonte investimesh në mënyrë që kompanitë teknologjike të mos largohen nga Europa, por të vijnë në Ballkan për të mos i nxjerrë paratë në këtë mënyrë jashtë kontinentit.  

“Europa duhet të mendojë si për fuqinë ashtu edhe për konkurrueshmërinë. Nëse nuk do të jemi të aftë të konkurrojmë ekonomikisht nuk do të jemi të aftë të bëjmë asgjë tjetër. Në këtë pikë, Ballkani Perëndimor është një tokë mundësish për këtë BE, për të parë horizonte investimesh për të gjitha kompanitë teknologjike që të mos largohen nga Europa duke qenë se s’mund të investojnë sepse është e mbirregulluar, por të vijnë në BP, të shkojnë në pjesë të tjera të kontinentit dhe t’i sjellin dividentët në shtëpi, në vend që t’i lenë paratë jashtë kontinentit”, tha Rama./tvklan.al