Nisi si një debat për rindërtimin….

Lulzim Basha: Të vetmet tendera me procedura korrekte janë ato të zhvilluara me fondet e BE.

Edi Rama: Po sikur të gjitha investimet e bëra nga qeveria shqiptare të jenë më të ulta.

Lulzim Basha: Bashkimi Europian, fondi limit: 15 milionë Euro, numri i shkollave 22. Fondi Shqiptar i zhvillimit 34 milionë e 223 mijë Euro, 45 shkolla. Këto janë të vërtetat. Burimi, Partia Demokratike.

Edi Rama: Duke iu referuar atij burimit Partia Demokratike, kostot maten me metër katror Lulzim, nuk maten më numër shkollash.

…por përfundoi në një përplasje verbale për kapacitetet e tyre si drejtues politik, ai i kësaj të enjte në parlament mes kryeministrit dhe Lulzim Bashës.

Lulzim Basha: Partisë Demokratike që shkrimtari më i madh bashkëkohor e ka quajtur partia më e bukur e lindjes.

Edi Rama: ‘Give me a break!’ Ti mund të jesh po mister lindja sot, lind më në fund. Se nuk mund të më flasësh ti mua për njerëzit kur edhe në selinë e partisë tënde futesh nga mbrapa sot. E kupton?

Lulzim Basha: Maja e llumit je ti. Pa diskutim kemi dhe ne pjesën tonë të llumit. Që atë pjesë të llumit që e ke peshkuar mirë, Partia Demokratike edhe unë jemi të vendosur ta pastrojmë deri në fund.

Edi Rama: O Lulëzim po në qoftë se PD- ja ka pjesën e vet të llumit, ajo pjesë e llumit të ka nxjerrë ty mor Lulzim. Pjella më e brilantinosur e atij llumi. Kur të mbledhësh 50 bashkë jashtë dyerve të SHQUP-it hajde të flasim për njerëzit.

Buxheti i parashikuar për pagesat e koncensionarëve solli një tjetër debat.

Lulzim Basha: Me PPP-të që të kanë kapur rekordin e Europës ka shkuar në 10%.

Edi Rama: E ke treguar më shumë se 1 herë që jo vetem me shifrat por dhe me gërmat ke probleme.

Për herë të parë Lulzim Basha doli hapur kundër Sali Berishës, por dhe Presidentit Meta që së bashku me Ramën, i quan trekëndëshi Bermudës që ai i vetëm premton do ta çmontojë.

Lulzim Basha: Thuaj më ka marrë malli për Sali Berishën edhe për Ilir Metën. Bëni trekëndëshin e Bermundës dhe qani hallet bashkë të 3 me në qoftë se i keni të njëjtat. A do ta plotësojnë demokratët ty dëshirën? Të na kthesh pas? Të jesh i sigurt që jo. Mua do më kesh përballë, jo Sali Berishën.

Edi Rama: Ty të dua përballë, gjithmonë dihet ajo punë. Kam dashur të dua dhe do të të dua.

Lulzim Basha: Trekëndëshi i Bermudës i ka ditët e numëruara.

Matja e forcës u dëshmua në këtë debat nga të dyja palët, me Bashën që i rikujtoi edhe njëherë zgjedhjet e vitit 2011.

Edi Rama: Mos na ço gjuhën aty ku të dhëmb dhëmbi ty të lutem.

Lulzim Basha: Një herë që të kafshuan dhëmbët e mi, 3 javë u zhduke fare.

Edi Rama: Kur kafshoj unë, ti e di si kafshoj unë, çfarë janë këto muhabete ku i bën. Je këtu je? Po të shohin njerëz nuk je në ëndërr. Zgjohu! Zgjohu!

Basha e sfidoi kryeministrin që të votonte Vetting-un në politikë, por kryeministri i kërkoi të mos bëjë politikë me një çështje serioze.

Lulzim Basha: Bëhu ti burrë njëherë në jetën tënde edhe votoje Vetting-un e politikanëve.

Edi Rama: Është gjetje e lodhur në fakt. Hajde ta diskutojmë, në qoftë se ne na del që kjo nismë është shpëtimtare, patjetër që ne do ta votojmë. Në qofte na rezulton që kjo nismë është një komerdare që fryhet me gojë në formë peshkaqeni, atëherë ne do themi Lulzim vazhdo vëlla, peshkaqeni i foltores.

Debati mes Ramës e Bashës mori më tepër se 150 minuta duke shtyrë diskutimin për shumë çështje në rendin e ditës si projekbuxheti, Eurobondi i ri apo ngritja e Komisionit Hetimor për inceneratorët.

Tv Klan