“Akuzat e Bashës për fshehjen e numrit të viktimave nga Covid nxisin dhunë ndaj mjekëve”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar nëpërmjet një postimi në Facebook pas deklaratave të kryedemokratit Lulzim Basha sipas të cilit është fshehur numri i vërtetë i viktimave të Covid.

Rama thotë se Basha ka cënuar në mënyrë të drejtpërdrejtë integritetin moral dhe profesional të mjekëve dhe nxit dhunë ndaj tyre.

Kryeministri paralajmëron se nesër do t’u drejtohet shqiptarëve, ndërsa për deklaratën e Bashës thotë se ka kaluar përtej çdo caku të politikës së ulët ditore. Ai shpreh solidaritetin për të gjithë mjekët.

“Për akuzën e pashembullt të Lulëzim Bashës, e cila cënon drejtpërdrejtë integritetin moral e profesional të mjekëve të vijës së zjarrit dhe nxit dhunë ndaj tyre, do t’u drejtohem nesër shqiptarëve me një mesazh të drejtpërdrejtë, sepse këtu është shkuar shumë shumë larg, përtej çdo caku të politikës së ulët ditore dhe këtu nuk është më fjala thjeshtë për llafet e një aktori të papërgjegjshëm!

Sot u shpreh të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen time, profesoreshë Najada Çomos e të gjithë skuadrës së saj shembullore, duke u përulur me mirënjohje përpara stërmundimit të tyre të përditshëm prej nëntë muajsh me radhë, si edhe duke u thënë që historia e mjekësisë shqiptare do të flasë për ta kur Lulëzim Bashës e xhagajdurëve të tjerë të botës mizerabël të shpifjeve e të thashethemeve, t’u jetë harruar emri, nami e nishani”, shkruan Rama.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi qeverinë se ka fshehur numrin e viktimave nga koronavirusi në vend. Gjatë emisionit “Opinion” të enjten, Basha nxori disa dokumente që sipas tij janë marrë nga morgu dhe që sipas tij në vend të 509 viktimave të raportuara zyrtarisht që nga nisja e pandemisë janë realisht 923 jetë të humbura nga virusi./tvklan.al