Kryeministri Edi Rama tha këtë të mërkurë se kundërshtari i tij politik, Lulzim Basha, nuk është rrezik për demokracinë, por politikan i dobët.

Dhe si i tillë sipas kreut të qeverisë ai është kukull e Sali Berishës, Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.  Rama hodhi akuza ndaj koalicionit PD-LSI dhe tha se është qesharak.

“Lulzim Basha nuk është një rrezik në vetvete, as për demokracinë, as për drejtësinë, por fatkeqësisht duke qenë një politikan i dobët, pa karakterin e një lideri ai është një kukull në duart e tre xhagajdurëve të tjerë që mund ta mbyllin Lulin në shtëpi me duart e vetë Lulit për 30 sekonda. Keni parë koalicion më qesharak se sa një koalicion paszgjedhor, i nënshkruar para zgjedhjeve me dy parti që hyjnë veç e veç. Është një koalicion tragjikomik,  i imponuar nga Saliu dhe Ilirit për ta lidhur Lulin me zinxhirët e Monikës që të mos guxojë të ikë i shkreti duke i lënë vetë përballë Reformës në Drejtësi dhe pasojave krejt të mundshme për ta. Kur Meta thotë që nëse fiton Edi Rama unë udhëheq opozitën do të thotë unë do të ngre barrikadën me PD, LSI dhe KÇCK-në në parlament për ta bllokuar reformën në drejtësi. Basha është thjesht administrator i shoqërisë aksionere që nuk merr vendime. Si mund të identifikohen demokratët e ndershëm dhe të sinqertë të këtij vendi që kanë të drejtën e vendit që të mos duan të na shohin me sy, në një parti ku janë mbledhur bashkë kuçi dhe maçi, jo për të përmbysur qeverinë, por drejtësinë e re pa kusure që ne po ngremë hap pas hapi të gjithë së bashku dhe me ata të cilëve u kërkoj mbështetje që siç u bëmë pjesë e NATO-s të bëhemi pjesë e barabartë BE-së. Kam besim që këto forca kundër reformës, të bashkuara qartësisht kundër reformës nuk do ia dalin. Hallet tuaja nuk mund të kthehen në votë për të zgjidhur hallin e tyre”, tha Rama./tvklan.al