Kryeministri: Ndërhyrje e brendshme në fushatën elektorale të një vendi

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar ndëhyrje në fushatën e brendshme takimin online të kryedemokratit Lulzim Basha me Komisioneren e Bashkimit Europian, Mariya Gabriel ku u diskutua për planin elektoral të Partisë Demokratike.

Në një postim në “Twitter” kreu i qeverisë thotë se Brukseli nuk duhet t’i lejojë komisionerët që të zhvillojnë takime të tilla duke shpenzuar taksat e popujve të Europës.

Rama thotë se pret reagim zyrtar nga Brukseli për të mësuar nëse komisionerët kanë të drejtë të ndërhyjnë në një shtet i cili është pranë zgjedhjeve.

Pas deklaratës së kryeministrit ka reaguar dhe krydemokrati Lulzim Basha, i cili thotë se habitet nga reagimi i tij, teksa akuzon qeverinë se në 8 vite nuk bëri asnjë hap drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“I habitshëm nervozizmi i Ramës. Unë, PD dhe shqiptarët e kemi përcaktuar rrugën tonë që në dhjetorin ’90 : Ajo është rruga që të çon në Europë. Sot të gjithë e kuptojnë se pa u afruar me BE, Shqipëria nuk do të mund të bëjë përpara. Për 8 vjet, jo vetëm që Rama nuk bëri asgjë për ta afruar integrimin, por ai bëri hapa prapa. Unë jam i vendosur të bëj gjithçka për të ecur përpara me integrimin europian, për të sjellë ndryshimin e vërtetë, arsim cilësor dhe punësim dinjitoz për shqiptarët këtu në Shqipëri. Mirënjohje BE, KE për ndihmë e pakursyer që i kanë dhënë dhe do ti japin vendit tonë”, thotë Basha.

Klan News