“Programi i PD-së ofron bonus për masazh, pishina dhe SPA”

Për Edi Ramën programi i demokratëve nuk është asgjë më shumë se një menu me pjata imagjinare. Edhe nga Gjirokastra ku vijoi turin e bashkëbisedimit me qytetarët, Kryeministri nuk la pa atakuar disa nga premtimet e bëra nga Lulzim Basha. Ironinë se kurseu edhe kur u ndal tek angazhimi i Bashës për rritjen e pagave e pensioneve.

“PD mund të rris pensionet sa hap e mbyll sytë, madje të ulë sigurimet dhe të rrisë pensionet. Duke ulur prodhimin e qumështit, duke rritur prodhimin e djathit. Ka një formulë se si mund  të ndodhi kjo. Ai që të jepet për djathë, në fakt është sapun. Kush ta marri ta marri, kush ta hajë ta hajë, Po e hëngri shumica, ‘fiton Shqipëria’”, tha Rama.

Edhe kërkesës së një mjekeje për bonus qiraje, iu përgjigj duke thumbuar programin e Partisë Demokratike.

“S’di të jap një përgjigje tani për këtë. Pasi programi i Partisë Demokratike mund ta akomodojë këtë. Mund të ketë dhe bonus për të shkuar në masazh, në fizioterapi private, pishina, SPA, që do të ndërtohet sipas programit”.

Batutat s’i ndali edhe kur foli për drejtuesin e demokratëve në Qarkun e Gjirokastrës.

“Kam hallin e atij Tritanit se do i këputet koka duke i aprovuar çdo gjë Lulit po ju mos e merrni seriozisht ça thotë…”

Nga Gjirokastra njoftoi se për restaurimet në objektet e trashëgimisë kulturore se ka një marrëveshje me Turqinë.

Gjatë qëndrimit në Gjirokastër, Rama pa nga afër edhe projektin për sheshin e Çerçizit, një hapësirë e dedikuar për këmbësorët me një parking nëntokësor prej 300 vendesh për të cilën pritet të nisë së shpejti ndërtimi. Bypass-i i Gjirokastrës është një tjetër investim në këtë zonë, që sipas Kryeminstrit do të çlirojë qendrën e qytetit nga makinat.

Muzeu i ri Etnografik është gjithashtu pjesë e projektit prej katër muzesh që do t’i shtohen ofertës turistike të Gjirokastrës, së bashku me Muzeun Kadare, Muzeun e Armëve dhe Muzeun e Burgut të Kalasë.

Tv Klan